Ashtu siç ndodh zakonisht kur ish-kryeministri Sali Berisha merr fjalën gjatë seancave plenare, edhe sot ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.
Berisha tha se Rama ka fshehur mesazhin thelbësor që e mori nga Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerri, në lidhje me motivet e vërteta të vizitës së tij në Tiranë.
“Iu referova këtu disa herë çështjes së muxhahedinëve. Njeriu më i pafytyrë mu drejtua këtu dhe më tha gënjeshtar. Unë do të shprehja solidaritet për një vendim që e konsideroj vazhdim të një vendimi tjetër të nisur më parë. Është e turpshme që qytetarët të mos dinë asgjë. Ju u tallët gjithë ditën, u desh komunikata e Departamentit të Shtetit për të dalë e vërteta. Ështe turpshme o socialistë të nderuar që qytetari shqiptar të mos dijë asgjë dhe ta marrë vesh nga Xhon Kerri se erdhi t’u shprehë falenderimet shqiptarëve për marrjen e 3 mijë muxhahedinëve. Si more e duroni? Keni qenë ministra dhe kryeministra, si e duroni një të sëmurë psikik, një psikopat?!”, deklaroi Berisha.
Më tej, Berisha ka komentuar edhe shkarkimin e ministrit Cani, duke thënë se ai ishte viktimë e refuzimit të pranimit të skemës së TVSH-së dhe akuzoi ministrin Ahmetaj se në detyrën e re do të realizojë aferën e kryeministrit.
“Cani u shkarkua sepse nuk pranoi një akt të madh korruptiv. Ahmetaj nuk e ka idenë e parimeve kyçe të doktrinës financiare. Nuk mund të lejojmë që kryeministri të vjedhë shqiptarët me skemën e TVSH-së. Shkrimet investigative treguan përfshirjen e vëllait të kryeministrit”, tha Berisha.





