Ish-kryeministri Sali Berisha nga Lushnja u shpreh se aksioni opozitar është alternativa e duhur.
Sipas Berishës, Rama është rreziku më madhor i Shqipërisë pas Enver Hoxhës, ndërsa siguroi se “nuk do ta ulin kokën para këtij rreziku”.
“Sot jemi para alternativës të jemi apo të mos jemi? Por ne do jemi, jemi forca që përmbysëm një diktaturë, ne jemi forca që do përmbysë këtë diktaturë. Asgjë në botë nuk na pengon në misionin tonë për të përmbysur diktaturën e bandave të instaluar në Shqipëri. Kjo është prova e guximit tonë, prova e mbrojtjes së demokracisë, e mbrojtjes së interesit kombëtar. Kësaj prove ne nuk i shmangemi, kësaj prove njëlloj si në himnin e flamurit ne do ti qëndrojmë.
Ne do fitojmë, kjo provë kërkon sakrifica dhe guxim. Midis formave të diktaturave, diktatura e bandës është më e keqe.
E them këtë për të kujtuar se beteja nuk është e lehtë. Beteja ka nevojë për angazhimin e secilit prej jush. Betejën e nisëm ne në parlament, e nisëm të betuar se ne do mbrojmë të drejtat tuaja, do mbrojmë opozitën.
Ne nuk tërhiqemi. Ai është akt i një grupi deputetësh të cilët vendosën të qëndrojnë ne emër tuaj për të shpëtuar pluralizimin. Por secili prej jush duhet të marrë një vendim të tillë, të bëjmë gjithçka për të shpëtuar Lushnjën dhe Shqipërinë.
Edi Rama është rrezik madhor, rreziku më i madh pas Enver Hoxhës. A do ulim ne kokën para këtij rreziku? Kurrë jo! Përkundrazi do ngrihemi fuqishëm në një betejë pa kthim, në një betejë në emër të shpresës, demokracisë, të ardhmes. Në një betejë që ne do ta fitojmë”, tha Berisha.