Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi sot nga Kuvendi Ramën, se po bëhet pengesë për reformën në drejtësi. Berisha tha se në takimet me ambasadorët, Edi Rama justifikohet duke përdorur emrin e Ylli Manjanit.

“Një problem madhor ka këtu dhe ky problem është reforma e drejtësisë. Sot është dita që të hiqen maskat, t’u faktojmë shqiptarëve që njeriu që nuk do reformën, është Edi Rama. Njeriu që saboton reformën në drejtësi është Edi Rama. Këtë ua them me fakte të pakundërshtueshme. Njeriu që mashtron dhe u thotë shqiptarëve që po bëj reformën me 64 vota, është Edi Rama, ndërkohë që reforma kërkon minimumi 94 vota. Njeriu që pengon Byronë Kombëtare të Hetimit është Edi Rama dhe gënjen të tjerët, duke thënë që s’ma pranon Ylli Manjani”, tha Berisha.

Sipas tij, Ylli Manjani thotë atë që ka thënë Sali Berisha, Pandeli Majko dhe çdo deputet tjetër. “Nuk mund të thotë “Edi Rama kryehetues”, “Edi Rama kryeprokuror”, “Edi Rama kryegjykatës”. Byroja e hetimit përputhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Po pse ça je ti, kryeministër që të pengon një ministër? Po ti s’je kryeministër. Ti nuk e do Byronë e Hetimit, sepse Byroja do të fillojë me Surrelin, do fillojë me pallatin 5-katësh. Krijove një grup ti, me në krye Xhafën, përfaqësues të klaneve të drogës”.

Pas këtyre akuzave, kreu i qeverisë u shpreh i impresionuar nga mbrojtja që Berisha i bëri ministrit të Drejtësisë, duke i sugjeruar të bëjë avokatin pa pagesë të LSI-së dhe për çështje të tjera në raport me PD-në.