TIRANË, 24 prill 2013- Kryeministri i vendit Sali Berisha gjatë mbledhjes së përjavshme të qeverisë, akuzoi qeverinë socialiste për grabitje kombëtare me skemën e akcizës për fermerët.
“Prej vitesh është diskutuar akciza për fermerët, subvencionimi i naftës. Skema e qeveritarëve paraardhës përmblidhet me dy fjalë Caci Oil. Tollonat, fermerët nuk i panë me sy, kurrë. Ato përfunduan në xhepat e qeveritarëve socialist, qendror dhe vendorë. Ne bëmë mirë që ndaluam atë skemë grabitjeje të pasurisë kombëtare”, akuzoi Berisha.
Shefi i qeverisë tha se mazhoranca ka skemë transparente për të ndihmuar fermerët me qëllim që paratë të përfundojnë në duar e fermerëve për shpenzimet e bëra dhe jo në duar të tregtarëve.
“Ne kemi qenë në kërkim të një skeme transparete për të ndihmuar fermerët tanë. Grupe të ngarkuara nga Ministria e Financave, por edhe grupe interesi kërkuan që rruga më e sigurt për heqjen e TVSH-së për fermerët dhe akcizës për naftën të jetë dhënia në dorë e parave për fermerët me sasinë e asaj që kanë përdorur”, theksoi Berisha
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, kryeministri vendit Sali Berisha i ka ripërsëritur apelin e tij kreut të PS-së Edi Rama për votat e emigrantëve. Berisha i bëri thirrje Ramës që të mos ketë frikë nga votat e emigrantëve, por të votojnë që nesër në Parlament nismën.
“I them zotit Rama se është në nderin dhe dinjitetin tonë tu japim atyre mundësinë të votojnë aty ku janë, i them zotit Rama se në vendin fqinj ku ishte dhe mashtronte duke dëshmuar se është i mbrujtur me gënjeshtrën në mënyrën më të pashpresë dhe për burrin nuk ka gjë më të gënjeshtra. Se gratë nuk gënjejnë ose më shumë më pak, ka teste sinqeriteti për këtë. Në atë vend pikërisht vota e bashkëpatriotëve italianë nga Argjentina ka përcaktuar rezultatet e zgjedhjeve, ndaj dil dhe çlirohu nga fobitë dhe urdhëro të vendosim që nesër në Parlament apo ditën e hënë dhe përgjegjësinë e merr qeveria nëse nuk krijon kushtet të votojnë aty ku janë. Se është e lehtë të shkosh të marrësh fonde prej tyre, tu krijojmë mundësinë qytetarëve ku janë. Nuk duhet të kesh frikë nga vota e shqiptarëve. E shihja një ditë mjeran, sapo fola unë për votën e 16-vjeçarëve doli në studio me një 16- vjeçare, nuk krahason dot 16-vjeçarët e dikurshëm të bllokut me ato të sotmit”, theksoi Berisha.





