Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka paralajmëruar sot Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla se do të mbajnë përgjegjësi personale për vendimin që merr Gjykata për PD në datë 3 mars.

“Sot Taulant Balla njoftoi vendimin që do japë gjykata më datë 3, unë i them meqenëse ti je i pari që njoftove vendimin, ja ku janë këta burra dhe unë të betohem para tyre dhe mbarë shqiptarëve, se ti dhe Edi Rama do bëheni përgjegjës personal për çdo akt armiqësor ndaj PD-së dhe opozitës shqiptare. Kudo që të ndodhesh, kudo që të fshihesh, në çdo vrimë miu, do të të kapim dhe do të të çojmë te Gentian Sharra, miku yt. Bëre mirë që e the tani në parlament. Për këtë Edi Rama dhe ti do jeni përgjegjës personal. Nuk ka forcë që t’ju mbrojë. Lëri këta që keni vendosur këtu përpara që po të duam, për tre minuta, për tre minuta jemi brenda në parlament. Prandaj ikni. E kemi rregullin tonë ne. Nuk ka nevojë, shkoni në punën tuaj sepse po vendosëm, jemi në sallë! Po vendosëm, jemi në sallë. Po vendosëm, jemi në sallë, asgjë nuk na pengon!”, u shpreh Berisha.