TIRANE – Mos marrja e statusit të vendit kandidat duket se ka nxitur dy liderët e politikës shqiptare të lëshojnë akuza e kundër akuza ndaj njëri tjetrit. Kryeministri Berisha ia ka faturuar liderit të opozitës Edi Rama fajin për dështimin e rradhës të Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Por nga ana tjetër Berisha i ka bërë edhe njëherë liderit të selisë rozë të votojë tre ligjet që kërkojnë 3/5.
“Përsëris thirrjen time ndaj zotit Rama që t'i votojë ato tre ligje, pavarësisht se dëmin e ka bërë dhe dëmi është i pariparueshëm. Duhet t'i njoftoj shqiptarët se mesazahi që u dërgua në Bruksel ishte qartësisht negativ: ‘Kur ju nuk votoni për veten tuaj, pse do të votojmë ne për ju. Është kalkulim absolutisht i gabuar nëse vazhdon të besosh se votimi i tyre ndihmon qeverinë. Jo! Votimi i tyre ndihmonte çdo shqiptar. Mosvotimi do të jetë një faturë shumë, shumë, shumë e rëndë mbi ata që përdorën pushtetin e qytetarëve për t'i bllokuar”,- tha Berisha.
Ndërkohë, kryetari i PS, Rama në reagimin e tij ka nënvizuar se refuzimi i BE-së për dhënien e statusit të kandidatit erdhi për shkak të dështimit për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
“Ajo ç’ka lajmësit do të shprehin si argument për mos marrjen parasysh të aplkimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat duhet lexuar me shumë kujdes, në çdo rresht, për të kuptuar që statusi i vendit kandidat është një status që Shqipëria mund ta marrë kur të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme”, ka deklaruar Rama.
Lideri i opozitës ka thënë gjithashtu se statusin Shqipëria do të mund ta marrë vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.