TIRANË, 18 prill 2013- Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë është ndalur sërish tek ekonomia, duke iu referuar kësaj here një raporti të fundit të Komisionit Europian.
Berisha theksoi se vendi ynë ka rritje pozitive ekonomike, në një kohë që rajoni ka pësuar tkurrje. Papunësia tha ai, është rritur me 0,5%, duke hedhur kështu poshtë, shifrat e gënjeshtërta, sic i quan kryeministri ato të publikuara nga PS.
“Tregu i punës në Shqipëri është i stabilizuar, punësimi u rrit me 0,5%, inflacioni në vend më i ulëti në 2012. Këtë përgjigje i jep raporti i KE matematikës së Ramës dhe Kosta Bajrabës. Vendet e punës në sektorin publik nuk ndryshuan, ndërsa në sektorin privat jo bujqësor u rritën me 1,8% në 3 mujorin e fundit. 6,3 përqind si rritje vjetore. Një zhvillim pozitiv kur të tjerëve ju dyfishohet papunësia. Pra, papunësia mbetet problemi që po e trajtojmë më me seriozitet se cdo gjë tjëtër. KE hedh poshtë të gjitha mashtrimet dhe gënjeshtrat që shpërndahen cdo ditë për shifrat e punësimit duke harruar se cdo tregues i tregut dhe ekonomisë është sa kombëtar aq dhe ndërkombëtar. Ky raport është i para pak ditëve, ne jemi përpjekur të themi të vërtetën”, tha kryeministri.
Sipas tij, “Nuk po flasim për të dhëna rozë, por kemi mbrojtur qytetarët nga kriza që ka prekur rajonin, ndaj ndërmorëm hapat për paketën e re antikrizë”.
Duke ndalur sërish tek shifrat, kryeministri vecoi, “Llogaria rrjedhëse është përmirësuar ndjeshëm, janë rritur eksportet dhe janë ulur importet. Inflacioni vjetor u ul në 2,4%, cka do të thotë se rrogat e pensionet u rritën mbi 3 herë nga indeksi i cmimeve. Kujtojmë që 2012 ka qënë një vit me vështirësi serioze, për shkak të dimrit të jashtëzakonshëm pati edhe probleme elektroenergjetike nga CEZ, qeveria financoi nga buxheti i saj blerjen e energjisë që të mos rritej çmimi”, tha ai.
Kryeministri Berisha ndër të tjera është zotuar se qeveria e tij pas këtij viti do të punojë për uljen e borxhit publik.
“Të ardhurat në 3 muajt e parë të vitit janë rritur. Borxhi arriti në 61,5%, këtë vit e kemi parashikuar tek 62,6% dhe pas këtij viti do të zbritet, ky është zotimi ynë solemn, sepse ato qëllime që kishim po shkojnë drejt realizimit, pasi projektet tona përballohen edhe duke ulur borxhin. Këto janë të dhënat më pozitive. Shqipëria Islanda dhe Turqia vecohen për rritjen”, tha ai.
“Ata që bëjnë kollagjerin bëjnë mirë t’i lexojnë këto raporte edhe po si pëlqyen të lexojnë të vërtetat”, komentoi më tej Berisha.





