LUSHNJE– Kryeministri Sali Berishaka zhvilluar sot një bashkëbisedim me qytetarët dhe fermerët e Lushnjes ku ka paraqitur arritjet që ka bërë vendi gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike në shëndetësi, arsim, infrastrukturë etj.
Në fjalën e tij, kryeministi Berisha theksoi se qeveria ka mbajtur premtimet e bëra 4 vite më parë ndërsa ka garantuar se qeveria do të vijojë me reformat për të garantuar mirëqënien e qytetarëve.
“Erdha sot tek ju me qëllimin më kryesor të dëgjoj vërejtjet sygjerimet, opinionet, mendimet tuaja për projektin e 4-viteve që vijnë Lushnja e zhvilluar, Lushnja europiane. Ne vimë pasi nga viti 2005 e deri më sot ne kemi arritur së bashku ndryshimet m të thella në historinë e këtij vendi. Ne së bashku arritën që Shqipërinë ta anëtarësojmë në NATO, që sot të lëvizim të lirë në mbarë Europën, arritëm që në kohën e krizës më të thellë Shqipëria të mbetet e papërfshirë nga kriza dhe të mos njohë recesionin, arritëm të mbledhim nga taksat 9.2 miliard se qeveria e mëparshme në 8 vite ” tha Berisha.
Ai ka shtuar se qeveria ndërmorri projekte nga më ambiziozet për ndërtimin e rrjetit rrugor, projekte të cilat sipas tij u cilësuan si gafë nga opozita.
“Pikërisht nga kjo sallë, në Lushnje, në 2005-ën, kur unë ju deklarova se të asfaltoja 6 mijë km rrugë rurale, kundërshtarët tanë u tallën, përqeshën, e quajtën këtë gafë se sipas tyre, Shqipëria as nuk i kishte 6 mijë km. Por, ata nuk morën mundimin të hynin në “Google” e të shihnin se Shqipëria ka 18 mijë e 300 km rrugë. Ne asfaltuam, ndërtuam e rikonstruam mbi 10 mijë km rrugë e ndërkohë u zotuam të mbështesim arsimin dhe shëndetësinë. Mësuesit sot paguhen 100-150 % më shumë se në vitin 2005; mjekët dhe infermierët, 130-160% më shumë. Ne premtuam se për fermerët do të bëjmë gjithçka dhe në këto 8 vite, investimi ynë kryesor u bë në Shqipërinë rurale. Rreth 1300 shkolla u ndërtuan, qindra sisteme kanalizimesh, u hap turizmi. Nëse në vitin 2005 kishim 300 mijë turistë,” deklaroi Kryeministri, ndërsa shtoi se vitin e kaluar në Shqipëri ishin 4.7 milionë turistë dhe vizitorë.
Kryeministri Berisha theksoi më tej se reformat e ndërmarra nga qeveria kanë qënë një histori suksesi ndërsa kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të vijuar me suksesin e tyre.
“Ne kemi prirje t`i korrigjojmë gabimet dhe të mos i përsërisim gabimet tona. Nga dita që nisa konsultat dhe deri më datën 23 Qershor ju dhe vetëm ju do të jeni kryeministri im” shtoi kryeministri.
I pyetur se përse nuk cilësohet si festë kombëtare 21 Janari, mbledhja e Kongresit të Lushnjes kryeministri Berisha theksoi se ditët e pushimit nga festat rëndon në sipërmarrjen private.
“Të flasim haptas, Kongresi i Lushnjes e meriton 100% të jetë festë kombëtare, por dhe kjo nuk ka pengesë për të ndodhur, por i vetmi problem për ne është që fatkeqësisht jemi të detyruar të kemi festa ndërkombëtare më shumë se të tjerët. Mirëpo ditët e shumta të pushimit rëndojnë mjaft sipërmarrjen private, jopublike. Ne do e shqyrtojmë me shumë vëmendje dhe do gjejmë një zgjidhje. Sepse ngjarja është absolutisht mrekullia shqiptare.
Është bërë një përpjekje e madhe në ato data ndaj meriton ta vemi në piedestal. U la në hije se aty kishte luajtur një rol thelbësor Zogu, që kishte pjesë të rëndësishme si ministër i Brendshëm. Enver Hoxha e vështroi gjithë këtë në këtë konteskt. Por shqiptarët e kanë të qartë se kjo është ngjarje më madhore në historinë tonë kombëtare”shtoi Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha premtoi se qeveria do të vijojë me dëmshpërblimet e ish-të përndjekurve politik ndërsa nuk la pa sulmuar edhe opozitën se po e përdor këtë shtresë.
“Kam biseduar me përfaqësues të kategorisë së ish-të përndjekurve politikë. Gjatë rrugës hasemi me vështirësi për shpërblimin e ish-të përndjekurve, por ndërhyhet me ligj. Shpërndarja e dëmshpërblimeve për ish-të përndjekurve po vazhdon do përshpejtohet. PD do të vazhdojë të zbatojë vendimin si një kontratë e pashkelshme me ish-të përndjekurit por nuk kanë moral të flasin ata që 8 vjet nuk dhanë asnjë fond për ish-të përndjekurit. Sa i përket eksponentëve që ulen pranë tyre unë them se ata nuk treguan asnjë instres për martirët e gjallë të cilët janë sot të burgosurit dhe të përnjekurit politik” tha Berisha.