Pas 11 muajsh, kreu i PD Sali Berisha rikthehet në Kuvend, ku do të marrë pjesë në seancën që do të diskutojë nen për nen buxhetin e vitit 2025. Në një konferencë për mediat Berisha tha se dritarja zëvendësoi parlamentin, teksa theksoi se rikthimi në Kuvend do të jetë vazhdim i betejës së tij dhe PD-së deri në fitore.

Kthehem nesër në Parlament në vazhdim të betejës sime deri të fitore. PD është forcë politike e fitores dhe nuk ka gjë në bota të ndalojë. Hapat janë të qartë. Edi Rama do marrë atë që meriton, nga shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Jemi në betejë”,– tha ish-kryeministri.

Në lidhje me arrestimin, ai tha se: “Arresti në shtëpi ishte një akt puçist i kryer më shkelje të Kushtetutës nga Edi Rama, nga Linda e Parlamentit apo zonja Vila. Nga Dumani dhe mercenarë të tjerë të drejtësisë. Ishte një grusht shteti brenda shtetit. Ku merret një pushtet për t’ia dhënë një pushteti tjetër, mirëpo siç jeni dëshmitarë, me persistim, u arrit që ajo dritare të shndërrohej në dritare e ferrit për Edi Ramën dhe qeverinë. Ata me ethe përcillnin çdo natë fjalën time, që ia drejtoja publikut por edhe atyre. Jeni dëshmitarë sesi dritarja zëvendësoi parlamentin dhe Edi Rama në fjalimet e tij shprehte vrerin e papërmbajtur ndaj dritares”.

Ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën për shtyp komentoi edhe vrasjen e djeshme, duke thënë se Alfred Dedja, 50-vjeçari që u ekzekutua të dielën në Ndroq, ishte dëshmitar i vrasjes së Jan Prengës.

“U ekzekutua në Ndroq dëshmitari i copëtimit të Jan Prengës, njeriu që dinte të gjitha. Ai Dedja kishte qenë menaxher i lokalit të Altin Hajrit. Imagjinoni ju një moment njeriun që e kishin liruar nga burgu këtë Julianin (Gjoshin) që kishte ngritur shtetin në këmbë për ta liruar tani e urdhëron në një akt in-ekstremis të vrasë në publik dëshmitarin e vetëm të mundshëm të copëtimit makabër të trupit të Jan Prengës. E gjitha kjo një vepër shtetërore mafioze. Mafia me shtetin të bashkuar”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës nuk ka pasur kurrë dëshirë për të zbardhur vrasjen e Jan Prengës.

“E gjitha kjo për të mbyllur aferën sepse ju e dini se për Jan Prengën u akuzuan kamarierët e Altin Hajrit, ndërsa Altini është i lirë. Altini pastron oborrin. U detyrua të nisë kunatin e tij të kryejë vrasjen publike. Vrasja mafioze e djeshme është dëshmi e funksionimit si një sipërmarrje e përbashkët e shtetit me krimin, e mafies me shtetin. Ndryshe Dedja duhej të ishte një dëshmitar i çmuar, por nuk pati kurrë dëshirë për të zbardhur vrasjen e Jan Prengës. Këto që shihni ju, dosjet, që të gjitha vijnë nga jashtë. Dumani i ka aty, fle mbi to”, u shpreh Berisha.