Duke folur në bashkëbisedimin e opozitës së bashkuar për buxhetin e vitit 2019, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se asgjë nuk mund të vendoset, pa larguar këtë qeveri, të cilën deputeti demokrat e konsideron një organizatë kriminale.
Për ish-kryeministrin rruga e vetme për zhvillimin e Shqipërisë, është përballja me qeverinë.
"Vendi qeveriset nga një kriminel skizofren. Është fatkeqësi që është i sëmurë psikik, por problemi është së ai ka një energji të pafundme negative. Nga mëngjesi në darkë e keni në televizor duke dezinformuar qytetarët dhe duke rrezatuar negativitete. Absolutisht nuk ka gjë më të rëndësishme se buxheti për një popull, nuk ka gjë më të rëndësishme për biznesin se sa paketa fiskale, por asgjë nuk mund të zgjidhet derisa të largojmë organizatën kriminale, që quhet qeveri. Që ka ndërtuar këtu një narkoshtet, paratë e drogës vrasin çdo ditë biznesin, ato blejnë politikanë bëjnë amandamente diktojne konkurencën. Nuk duhet të kemi asnjë iluzion, duhet të përballemi me këtë qeveri. Të përballemi me këtë të keqe të madhe, rruga e vetme për t’i hapur rrugën Shqipërisë, është përballja. Dhe sa më shumë të kalojë kjo kohë, aq çmim më të lartë do të paguajmë në çdo aspekt." -tha Berisha





