25 janar 2015 – Besart Berisha nuk di të ndalet. Sulmuesi shqiptar vazhdon të mahnisë Australinë me golat e tij. Ndryshimi i skuadrës gjatë këtij sezoni nuk e ka penguar aspak sulmuesin e Melbourne Victory, i cili vazhdon të gjejë me një vazhdimësi mbresëlënëse rrugën e rrjetës. 29-vjeçari sigloi rrjetën e avantazhit të përkohshëm 2-1 në fushën e Perth Glory.
Gjithsesi, ky gol nuk arriti të siguronte fitoren për skuadrën e re të 29-vjeçarit nga Prishtina pasi Melbourne u ndal në një barazim 3-3 edhe pse kryesoi përkohësisht me dy gola diferencë. Një barazim që lë shije të hidhur për ekipin e Melbourne që mbetet në vendin e tretë të klasifikimit me 29 pikë, 4 më pak se Perth Glory që kryeson tabelën pas 15 javëve të para të sezonit. Berisha u transferua te Victory në fillim të këtij sezoni ku në 14 ndeshje ka shënuar 8 gola.





