Ish-Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se Shërbimi Informativ Shtetëror kishte njoftuar Kryeministrin për abuzimin seksual që ndodhi në Kavajë ndaj 14-vjeçares në shkollën “Rilindja”.
Gjatë fjalës së tij në Parlament, Berisha akuzoi policinë se ka heshtur dhe nuk ka vepruar.
Sali Berisha: Sot keni para jush mazhorancën e përdhunuesve, në një krim të shëmtuar që ndodhi në Kavajë. Përdhunim kolektiv, policia u njoftua por policia ishte në anën e pëdhunuesve dhe heshti. SHISH njoftoi Kryeministrin dhe ministrat respektivë. Kryeministri ishte në anën e përdhunuesve. Vasalët e tij pa moral heshtën dhe nuk thanë një fjalë. Përsëritën të njëjtin skenar, këta përdhunues që përsitën 3 muaj më parë me djalin e deputetit të tyre. Këta akuzojnë viktimat.
Sandër Lleshaj: Policia e Shtetit sapo ka marrë në dijeni e ka trajtuar çështjen, nuk ju pëlqen ky fakt, aman dëgjojeni. Policia e Shtetit ka reaguar në 29 Janar 2019 ndaj denoncimit po në këtë moment e ka referuar çështjen në Prokurori dhe e ka bërë publike. Të gjitha akuzat e ngritura ndaj Policisë së Shtetit janë të pabaza. Publikimi i bërë nga rrjetet sociale është bërë, pasi shtetasit kanë qenë të arrestuar. Ka dokumente shtetërore. I kam duart e bardha, s’më bën dot kriminel. Për qytetarët shqiptarë Policia e Shtetit ka arrestuar përdhunuesit përpara se lajmi është bërë publik.
Sali Berisha: Policia ka reaguar vetëm pas denoncimit që u bë në rrjetet sociale, dhe ky vasal që s’ka nder merr përsipër të mashtrojë në vend se të marrë masa. Po s’e bën dot sepse zbaton urdhrin e Edi Ramës për të fshehur krimin. Ky krim ka ndodhur në Tetor. Të gjitha informacionet që kanë ardhur në Tiranë i ka marrë Ministria e Arsimit, Ministria e Brendshme, i ka marrë Kryeministri. Por vendosën të fshehin krimin se për këta përdhunimi është standard moral. Se për ta përdhnuesit duhet të jenë kryetarë bashkie. A mund të imagjinoni ju një zyrtar që ka pafytyrësi dhe u thotë shqiptarëve se policia veproi para denoncimit? Kush mund ta bëjë këtë përveç këtij vasali? Është turpi më i madh o puçistë! I bindur të jesh se bashkë me këtë do zvarriteni rrugëve.





