DURRËS, 2 qershor 2014 –  Me sa duket, ish-Kryeministri Sali Berisha është zemëruar së tepërmi, saqë ka “shkishëruar”, me anë të “55”-ës, Presidentin e Republikës z. Bujar Nishani dhe kryetarin e opozitës, kryebashkiak i Tiranës z. Lulëzim Basha për faktin se ata morën pjesë më 1 qershor 2014 në ceremoninë e shenjtërimit të kishës së re katedrale ortodokse “Ngjallja e Krishtit” krah Kryeministrit z. Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta.

Berisha ka përdorur kartën nacionaliste: “Shteti kapitulloi dje para planeve të errëta të Rusisë. Me ftesë të Edi Ramës dhe Janullatosit, patriarku serb Irinei, ishte në Tiranë, për të meshuar serbisht e për të shpallur se Kosova është e shenjtë për Serbinë”.

Dihet se në raste të tilla është marrë OK-i i Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani.

Madje, kreu i shtetit i konsideroi të nderuar: Tërëshenjtërinë e Tij, Patriarku Ekumenik, Bartolomeu I, Fortlumturinë e Tij Kryepiskop Anastas, përfaqësues të Kishave të tjera Ortodokse [mes tyre patriarkun serb Irinei!] të pranishëm në këtë ditë, zotin Kryetar të Kuvendit, zotin Basha, Ministra, deputetë, Shkëlqesitë Ambasadorë, drejtues të bashkësive fetare shqiptare,

Madje, më 2 qershor 2014, zyra e shtypit e Presidencës njoftoi se “Presidenti i Republikës, ShTZ Bujar Nishani zhvilloi sot një takim me Patriarkun Ekumenik, Bartolomeun I dhe primatët e kishave të tjera ortodokse [mes tyre patriarkun serb Irinei] që ndodhen në vendin tonë me rastin e shenjtërimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë [shih foton]. Duke u uruar edhe njëherë mirëseardhjen, Kreu i Shtetit shqiptar vuri në dukje se pas një gjysmë shekulli diktature, ku praktimi i fesë ishte i ndaluar me ligj, ku klerikët u përndoqën pa mëshirë dhe objektet e kultit u shkatërruan, Shqipërisë sot i është shtuar edhe një objekt tjetër madhështor kulti – Katedralja e re Ortodokse në qendër të Tiranës.

Sikurse është bërë e ditur, ditën e diel, më 1 qershor 2014, u krye në Tiranë shenjtërimi i Kishës së re Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, nga Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik, Vartholemeu I, me pjesëmarrjen e Fortlumturive të Tyre, Patriarkut të Jerusalemit, Theofilit; të Serbisë, Irineut; të Rumanisë, Danielit; të Kryepiskopit të Qipros, Krisostomit; të Athinës, Jeronimit; të Varshavës, Savës, si dhe të Kryepiskopit të Tiranës, Anastasit. Bashkëmeshuan edhe Hirësitë e Tyre Mitropolitë, përfaqësuesit e Patriarkëve, të Aleksandrisë, të Antiokisë, të Moskës, të Bullgarisë dhe të Gjeorgjisë.

Sipas njoftimit zyrtar të Kishës Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, në veprimtaritë festive ishin ftuar Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani; Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta; Kryeministri, z. Edi Rama dhe kryetari i opozitës [të vërehet cilësimi kryetari i opozitës], njëkohësisht dhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, të cilët në mëngjesin e së hënës, më 2 qershor 2014, pritën zyrtarisht Primatët Ortodoksë.

“Regjia” kishtare ishte kujdesur për mizanskenën e vendosjes së personave shekullarë: ishte shtruar një tapet, ku në qendër ndodhej karrigia e kreut të shtetit, baraslarguar nga mesi ishin dy blloqe, djathtas Kryeministri me bashkëshorten dhe zëvendësi i tij ortodoks Niko Peleshi dhe majtas kryeparlamentari dhe kryetari i opozitës me bashkëshorten (shih foton).

Presidenca ishte kujdesur që të hidhte në sajtin e saj një foto ku zz. Nishani, Rama e Meta janë në qëndrim në këmbë të ndarë nga fëmijët me objekte kulti.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/