DURRËS, 29 janar 2014 –Bamir Topi ishte spiun i Sigurimit, kështu Sali Berisha e shpall ish-zëvendësin e tij, meqë ka studiuar në Itali, ndërkohë që Berisha, ish-mjek, sekretar organizate i klinikës së udhëheqjes komuniste, është dërguar për specializim në Francë dhe ka shoqëruar sekretarët që mbulonin dhe Sigurimin, Hysni Kapo dhe Simon Stefani (në foto). Faqja e parë e gazetës së PDSH “Rilindja Demokratike e 29 janarit 2014 hapet me titullin “Historia e Bamkës si spiun sigurimi dhe specialist ndërzimi” (shih faksimilen). Sipas gazetës së kryetarit de-facto të PD-së, Sali Berisha, “marrëveshjet e [Bamir Topit, ish-nënkryetar i PD-së dhe President i Republikës i zgjedhur me votat e PD-së dhe të nanoistëve] me komunizmin datojnë herët nga viti 1985, kur punonte si specialist ndërzimi në stallat e lopëve në Mullet dhe shumë shpejt arriti të ishte i privilegjuari i operatorit të sigurimit, të cilët i mundësuan të rrugëtonte jashtë vendit më 1987, si një i preferuari i tyre duke i dhënë bursë studimi”. Ndërkaq, në vitin 1978 Sali Berisha u dërgua për specializim në Paris, pranë mjekut personal francez të Enver Hoxhës, Paul Milliez (1912-1994). Berisha ka shoqëruar në Paris sekretarin e KQ të PPSH, Hysni Kapo (1915-1979) dhe ka pasur kontakte të ngushta me pasuesin e Kapos, Simon Stefani (1929-2000), të cilët kontrollonin edhe Sigurimin.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





