Ish-kryeministri Sali Berisha, shprehet se nëse Lulzim Basha humbet zgjedhjet, PD do shkojë në zgjedhje për kryetarin e ri në muajin korrik.
Mandati i Lulzim Bashës mbaron pikërisht në korrik, 4-vjet pas fitores së tij përballë Sokol Olldashit.
“Nëse nuk bëhet dot kryeministër, se nëse nuk fiton zgjedhjet, Basha ka thënë se do të bëjë zgjedhjet për kryetarin e PD-së në korrik”, ka thënë ai.
“Basha ka deklaruar se do të bëhen çdo dy vjet zgjedhjet e kryetarit të PD-së, pas çdo zgjedhjeje lokale dhe pas çdo zgjedhjeje të përgjithshme”.
Berisha nuk u shpreh në mënyrë të drejtpërdrejtë për fatin politik të Lulzim Bashës dhe nëse mbështeste rikandidimin e tij në rast humbje në 25 qershor.
"Listat e kandidatëve, e drejtë e Bashës"
Ish-kryeministri Sali Berisha komentoi lënien jashtë listës së PD të ish-bashkëpunëtorëve të tij, por i dha plotësisht të drejtë Lulzim Bashës për emrat e kandidatëve të PD-së në 25 Qershor.
Sipas Berishës, “nuk ka diskutim që kryetari ka të drejtë të patjetërsueshme të ketë listën e tij”.





