TIRANË, 12 mars 2013– Përgatitjet për infrastrukturën zgjedhore ka qenë temë kryesore e diskutimeve që kryeministri Berisha pati sot gjatë një takimi me përfaqësuesit e Misionit të ODIHR-it të ciët ndodhen në Tiranë nga dita e djeshme.

Kreu i qeverisë u shpreh se qeveria shqiptare mbetet thellësisht e vendosur për të ftuar në Shqipëri numrin më të madh të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare apo vendeve demokratike, për të vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri.

Kryeministri Berisha e njohu znj. Schmidt me masat e fundit të ndërmarra përsa i përket rritjes së numrit të qendrave të numërimit dhe atyre të votimit, të cilat do të japin një kontribut të rëndësishëm në shpejtësinë e procesit dhe shpalljen sa më të shpejtë të rezultateve të zgjedhjeve, por njëkohësisht do t’ju shërbejnë qytetarëve duke eliminuar radhët e gjata në qendrat e votimit, ku tashmë qytetarët mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës së lirë në kohën më të shkurtër të mundshme.

Kryeministri Berisha i bëri me dije znj. Schmidt se kuadri i përditësuar ligjor i zgjedhjeve në Shqipëri ka adresuar qartësisht të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe është miratuar bazuar tërësisht në sugjerimet e opozitës shqiptare, ndërkohë që Shqipëria ka sot infrastrukturën më të mirë që ekziston sa i përket sistemit të numërimit, të cilat të marra sëbashku përbëjnë një garanci të madhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe zhvillimin e zgjedhjeve të mira në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Ndërsa Schmidt vlerësoi faktin që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë bërë pjesë e kuadrit ligjor të zgjedhjeve dhe e falenderoi njëkohësisht për ftesën e hapur e të përzemërt të qeverisë shqiptare ndaj ODIHR-it për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve. Në përfundim, znj. Schmidt theksoi se vendosmëria dhe angazhimi që ajo ka evidentuar si nga Kryeministri Berisha, ashtu dhe nga aktorët e tjerë politikë për të zhvilluar zgjedhje të mira është parakushti dhe garancia më e mirë që procesi i zgjedhjeve të 23 qershorit të zhvillohet në përputhje me standardet ndërkombëtare të lira dhe të ndershme.