TIRANE, 21 shkurt 2013- Inaugurohet sot projekti i Postës Shqiptare PAP-2, i cili do të bëjë të mundur përdorimin e internetit falas në shumë zona të vendit.
Kryeministri Berisha i pranishëm në këtë ceremoni tha se ky është “projekt unik në botë, për shpërndarjen falas të internetit në tërë territorin e vendit”.
Sipas tij në vitin 2005 interneti ka qënë me pikatore ndërsa tani është 130 herë më i madh fluksi i tij. “Kjo është një fushë me zhvillim të shpejtë, nëse do ta ndjekësh duhet të vraposh sepse ndryshe mbete jashtë kohës”.
Kreu i qeverisë nënvizoi se, ‘Me këtë projekt Shqipëria duket se do jetë i vetmi vend në botë që furnizon me internet falas cdo cep të territorit të saj”.
“Lundrimi në botën virtuale është bërë jetike për njerëzit, e drejta për komunikimin është e drejta për të vëertetën. Shpreh vlerësimin tim më të madh për inaugurimin e këtij projketi, që vjen pas një sërë projektesh të shkëlqyera që posta Shqiptare ka sjellë e ofruar në këto vite”, shtoi Berisha ndërsa inkurajoi Postën, për të rritur në universitete numrin e pikave të aksesit të internetit falas.