TIRANË – Kryeministri i vendit Sali Berisha apeloi sot për fuqizimin Dhomës Amerikane të Tregtisë së Shqipërisë. Shefi i qeverisë gjatë një aktiviteti të mbajtur mesditën e sotme shprehu angazhimin se prioritet i tij mbetet krijimi i një klime miqësore me biznesin, si rruga më e sigurtë për të mbrojtur vendin nga kriza. 

“Krijimi i një klime miqësore për biznesin është dhe mbetet prioriteti më madhor i kësaj qeverie. Rruga më e sigurtë për të mbrojtur këtë vend nga kriza është të mbështetemi tek biznesi, të bëjmë gjithçka për suksesin e tij. Në rast se në botë investimet janë ulur me 37% në Shqipëri për katër vjet janë rritur me 316%. Shqipëria renditet pas Kinës për barrën fiskale. Kemi bërë shumë për të zhdukur pengesat burokratike për biznesin. Kemi vetëm një mburojë ndaj krizës, të mbështesim biznesim, ta mbrojmë nga burokracitë, të shohim më tej që ti lehtësojmë barrën fiskale, të lehtësojmë burokracitë ”, theksoi Berisha. 

Duke pranuar se problemi me TVSH-së ekziston akoma, numri 1 i qeverisë deklaroi se do të shqyrtohet me përparësi, teksa nënvizoi rëndësinë që autoriteti tatimor të jetë i pavarur. 

“Do heqim TVSH-në për hekurin dhe çimenton që përdoren për energjinë e rinovueshme. Krahu i punës më fleksibël dhe më i leverdisshëm në Europë. Një gjë është e sigurt nuk ka ligj që pengon të dëgjohet zëri i biznesit, qoftë në përafërsi dhe qoftë individuale. Dua t’ju siguroj se çdo ankese e dërguar në zyra nuk mbetet në mënyrë kategorike pa shqyrtuar. Por, e rëndësishme është të merren mendime dhe në jemi të interesuar të marrim mendimet më të mira tuajat që janë në interes të ekonomisë. Problemi i TVSH-së ekziston. Ne kemi vendosur parimin e mekanizmit automatik, por ku bllokohet kjo, do shqyrtohet me përparësi. Nëse ka një autoritet që duhet të jetë absolutisht i pavarur , ky është autoriteti tatimor. Une jam i bindur që bëhen padrejtësi, por duhet të keni durim që të ndiqen rrugët ligjore të trajtimit te tyre. Zëri juaj nuk mund të mos degjohet”, theksoi Berisha.