Në një deklaratë për mediat këtë të hënë kreu i PD, Sali Berisha,  u bëri thirrje qytetarëve të dalin në protestë me 11 shkurt në orën 12.

Ai theksoi se 11 shkurti do të jetë dita e protestës më të fuqishme që ka parë Tirana dhe protesta më madhe që është bërë ndonjëherë.

“Ndaj jam këtu sot përsëri për të ftuar qytetarët shqiptarë të flasin me gjuhën e tyre më datën 11 shkurt në ora 12. Shqiptarët kudo që janë, janë të ftuar të vërshojnë drejt Tiranës. Shqipëria po zien këdo ditë si kurrë më parë. 11 shkurti do jetë dita e protestës më të fuqishme që ka parë Tirana dhe më të madhe që është bërë ndonjëherë. Ndaj ftesa ime për shqiptarët është: të gjithë në protestë, për të ngritur zërin tonë kundër një regjimi të kalbur, për të larguar nga pushteti, një njeri që mund t’i vësh çdo epitet sot. Por unë po ndalem për të thënë, një të pabesë, i cili për karrigen e tij është i aftë të bëjë çdo gjë.”

Berisha gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij për jetët e humbura nga tërmeti tragjik në Turqi dhe Siri.

“Kam shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera për tërmetin që ka goditur Turqinë qendrore dhe Sirinë verilindore. Shpreh solidaritetin me familjet e viktimave sikundër uroj që të plagosurit të shërohen plotësisht”-përfundoi kryedemokrati.