TIRANË – Gjatë konferencës së përvitshme me investitorët e huaj, kryeministri Sali Berisha u shpreh se mbështetja që kjo qeveri i ka dhënë investitorëve e ka mbajtur vendin larg krizës botërore.
“Qeveria ka vlerësim për investitorët e huaj, të cilët kanë ndikuar të jemi jashtë recensionit dhe kanë ndikuar në rritjen ekonomike të Shqipërisë. Në një kohë të vështirë për financat dhe ekonominë perëndimore, me punën, përkushtimin, projektet dhe investimet e huaja, ekonomia shqiptare ka një rritje të sigurtë”,- tha kryeministri.
Duke u ndalur në mbështetjen që u ofrohet investitorëve, Berisha nënvizoi se taksimi i kapitalit është i padrejtë, prandaj u shpreh se taksa më optimale mbetet taksa e sheshtë.
Ndërsa duke folur për taksën progresive Berisha tha se ajo përmban “ide të destinuara për të mbetur të mykura në arkiva”.