Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi gjatë një konference për mediat këtë të hënë se shumë shpejt qytetarët do të njihen me agjendën e protestave të tjera. Sipas tij, protesta e 12 nëntorit faktoi se shqiptarët janë në këmbë.

“Shqiptarët janë sot më në këmbë se kurrë. Protesta e 12 Nëntorit faktoi se janë më në këmbë se kurrë. Ju njoftoj se shumë shpejt do të njiheni me agjendën e protestave të tjera të fuqishme. Protestat do të jenë dhe do të mbeten mjeti kryesor krahas primareve në betejën kundër këtij regjimi, kundër këtij njeriu. Dhe njëherë thirrja ime për miqtë dhe partnerët, mbështesni shqiptarët në betejën e tyre, ne do të fitojmë”, u shpreh Berisha.

Gjatë deklaratës së tij, Berisha u shpreh se beteja nuk do të ndalet deri në përmbysjen e sistemit monist.

“Përshëndetje të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme për ata qindra-mijëra, burra, gra, djem dhe vajza, nga Tirana, por edhe të katër anët e Shqipërisë, nga emigracioni dhe diaspora, që me praninë e tyre në protestën më madhështore, më të fuqishme që ka njohur Tirana në tërë historinë e saj, firmosën aktin e kthesës së madhe, të popullit opozitar, inauguruan fillimin e një beteje, e cila nuk ndalet më gjer në përmbysjen e sistemit monist, gjersa shqiptarët të votojnë të lirë, njëlloj si qytetarët evropian”, u shpreh Berisha.