TIRANË, 18 prill 2013- Kryeministri Sali Berisha priti sot në takim Drejtorin e Zyrës për Çështjet e Europës Jugore dhe Qendrore, në Departamentin e Shtetit, zotin Jonathan Moore, i cili erdhi në Shqipëri në kuadrin e një turi vizitash në rajon.
Zoti Moore gjatë bashkëbisedimit theksoi ndryshimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë në 20 vitet e fundit, të dëshmuar prej tij, dhe vlerësoi lidershipin e kryeministrit Berisha dhe klasës politike gjatë këtyre viteve në këtë transformim.
Kryeministri Berisha e siguroi zotin Moore për angazhimin e palëkundur të tij dhe të maxhorancës së udhëhequr prej tij për çuarjen përpara të të gjitha reformave të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në BE. Ai e siguroi zotin Moore se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për standardet më të larta në zgjedhjet e 23 qershorit dhe se do të pranojë rezultatin e dalë prej këtyre zgjedhjeve. Ai nënvizoi se besimi për procesin zgjedhor bazohet në një kornizë ligjore plotësisht konsensuale dhe në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare, një infrastrukturë zgjedhore moderne dhe përgatitje solide.
Kryeministri Berisha nënvizoi se balancimi politik i KQZ dhe të gjithë administratës zgjedhore është guri i themelit që ka çuar në përmirësimin shumë të madh të procesit zgjedhor që nga viti 2005 deri sot dhe se ruajtja e këtij parimi si dhe integriteti i çdo anëtari ka rëndësi themelore për mbarëvajtjen dhe besimin e të gjitha palëve në proces.
Në këtë kuadër, kryeministri Berisha shprehu shqetësim për politizimin e mëtejshëm nga zoti Rama të çështjes së KQZ nëpërmjet tërheqjes së dy anëtarëve dhe shprehu shpresën se Partia Socialiste do të plotësojë brenda afateve ligjore anëtarësinë e KQZ.
Në takim bashkëbiseduesit ndanë shqetësimin e presioneve të papranueshme politike të ushtruara mbi deputetin Kastriot Islami dhe familjen e tij.
Në përfundim kryeministri Berisha theksoi se garancia më e madhe për zgjedhjet është zbatimi rigoroz dhe me vullnet të mirë politik i Kodit Zgjedhor konsensual dhe falenderoi qeverinë amerikane për gatishmërinë për të dërguar një numër sa më të madh vëzhguesish zgjedhorë.
Në vijim të takimeve në rajon, z. Moore nënvizoi shpresën për rezultate pozitive në dialogun Prishtinë – Beograd. Kryeministri Berisha falenderoi qeverinë e SHBA për mbështetjen e fuqishme që po i jep këtij procesi dhe theksoi se arritja e një marrëveshjeje mes dy shteteve ka një rëndësi të jashtëzakonshme për paqen dhe stabilitetin jo vetëm midis tyre, por edhe për të gjithë rajonin.





