Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një deklaratë për mediat ka përshëndetur Sindikatën e Universiteteve. Gjatë fjalës së tij kryedemokratiki ka thënë se pedagogët kanë ndërprerë bojkotin, por do të vazhdojnë betejën. Berisha në emër të PD-së ka shprehur mbështetje të plotë ndaj sindikatës së universiteteve të vendit.

Sali Berisha: Përshëndes Sindikatën e Universiteteve të vendit, për betejën e tyre, vendosmërinë, mbrojtjen që kjo sindikatë u bëri dhe u bën interesave jetike të pedagogëve, punonjësve dhe studentëve të universiteteve tona, por edhe interesave jetike të shoqërisë shqiptare dhe kombit shqiptar. Kjo sindikatë, në interesin më të mirë të kësaj beteje, ka vendosur të ndërpresë thirrjet për bojkot, por të vazhdojë luftën dhe betejën.

E garantoj se në çdo hap të saj, ajo dhe cilado organizatë apo individ që mbron një kauzë të drejtë, do ketë mbështetjen totale të PD-së. Me këtë rast, theksoj se nuk mund të pajtohem kurrë që një pedagog në universitetin e Tiranës të marr gjysmën e rrogës që merr një pedagog në universitetin e Prishtinës, dhe kjo vetëm për faktin se qeveria e Kosovës nuk vjedh fondet siç vjedh Edi Rama.