Ish kryeministri, Sali Berisha në fjalën e tij në tubimin qytetar ka theksuar se Skavica do tu kushtojë shqiptarëve 1 miliardë euro.
Për Berishën, këto para janë aq sa duhet për të rritur rrogën 130 përqind shqiptarëve.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të zjarrta, më vëllazërore misionarëve të të vërtetës, shpresës, dinjitetit dhe lirisë.
Ju përshëndes përzemërsisht ju, përulem me mirënjohje të pakufishme para sakrificës suaj, qëndresës dhe vendosmërisë.
Falënderoj me mirënjohje oratorët, përfaqësuesit tuaj në parlamentin e lirisë, të cilët me të vërtetat që shpalosin dhe mbrojnë para jush dhe shqiptarëve, janë një frymëzim i vërtetë dhe kanë shndërruar këtë platformë në parlamentin e vërtetë të qytetarëve shqiptarë.
Në tribunën e mbrojtjes së interesave më jetike të çdo qytetari, mbrojtjes së interesit kombëtar të shqiptarëve dhe të ardhmes sonë.
Miqtë e mi, çdo ditë situata përkeqësohet me veprimet e qeverisë, pasi çdo ditë miratohen akte madhore të tmerrshme të vjedhjes, varfërimit, përçmimit të qytetarëve shqiptarë.
Pak ditë më parë iu informova se Skavica, çmimi i saj, që do paguajnë qytetarët shqiptarë ka arritur nga 400 milionë në 1 miliard euro.
Dhe kjo është një gjobë e tmerrshme për çdo qytetar të këtij vendi.
1 miliard euro të Skavicës janë të barabarta me rritjen të paktën 130 përqind të rrogave të shqiptarëve.