Protesta e radhës e Partisë demokratike do të mbahet më 28 shkurt. Kështu ka njoftuar këtë të shtunë kryetari i kësaj force politike Sali Berisha, përmes një mesazhi që u është dërguar strukturave të PD-së.
Në mesazhin e tij, Berisha u është drejtuar anëtarëve të Kryesisë, drejtuesve politikë të qarqeve, kryetarëve të degëve, deputetëve të grupit parlamentar, kryetarëve dhe këshilltarëve bashkiakë, anëtarëve të Këshillit Kombëtar, si dhe të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të partisë.
Ai ka përgëzuar strukturat për, “suksesin shumë të rëndësishëm” që sipas tij kanë arritur në protestën e 20 shkurtit duke e cilësuar atë si një fitore me jehonë kombëtare dhe ndërkombëtare. Po ashtu, Berisha u ka bërë thirrje strukturave që të nisin mobilizimin për protestën e 28 shkurtit, duke kërkuar angazhim maksimal për të garantuar pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve.
“Me këtë mesazh dua t’ju përgëzoj përzemërsisht të gjithëve për suksesin e ri shumë të rëndësishëm që arritëm më 20 shkurt, falë angazhimit, përkushtimit, guximit dhe vendosmërisë suaj.
Dje, në një datë historike, shënuam për opinionin publik kombëtar dhe ndërkombëtar një fitore të re tejet të çmuar për suksesin përfundimtar të kryengritjes sonë paqësore. Jehona e këtij suksesi pushtoi dje, me shpejtësi të pashembullt, hapësirën e komunikimit si dhe mendjet e zemrat e shqiptarëve dhe të njerëzve të lirë në mbarë botën.
Ndaj, duke filluar nga nesër, me energjinë dhe frymëzimin e 20 shkurtit, të nisim me përkushtim betejën e ardhshme! Të trokasim në çdo derë, në çdo lagje, bllok, rrugë e rrugicë, në çdo fshat e qendër pune, për të garantuar pjesëmarrjen më masive të shqiptarëve në protestën e ditës së shtunë, më datë 28 shkurt.
Kjo është përparësia jonë! Mobilizoni të gjitha forcat dhe energjitë për përmbushjen e këtij misioni!“, shkruan Berisha.
Sipas njoftimit, ora dhe vendi i protestës do të bëhen të ditura të hënën.





