Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në fjalimin e tij të përnatshëm para mbështetësve poshtë pallatit u ndal te seanca në Kuvendin e Shqipërisë ku ishte i pranishëm drejtuesi i SPAK, Altin Dumani për të raportuar veprimtarinë e një viti të institucionit që drejton.
Gjithashtu Berisha u shpreh se deputetët e opozitës sot ia thanë fjalën në fyt Altin Dumani. Më tej Berisha tha se sot ishte gjyqi publik i asaj drejtësie, të cilën kërkojnë t’ua shesin si sukses qytetarëve shqiptarë, që kanë humbur drejtësinë me këtë reformë sorosiane.
“Miqtë e mi, sot boritë e mjeranëve dhe Zamanëve heshtën sepse morën në surrat atë që merituan. Kjo ishte një goditje e rëndë për të gjithë ata që mbështesin burgosjet politike. Kjo ishte një goditje e rëndë për të gjithë ata që besojnë patriotizmin e mafiozëve. Atyre u them se mafia atdhe nuk ka. Se mafia, komb nuk ka. Se mafia, shpirt nuk ka. Ndaj kërkojuni të falur shqiptarëve në qoftë se e keni bërë pa vetëdije. Kurse në rast se e bëtë me vetëdije, mbajtët me vetëdije qëndrimin, jeni falë tek mafia. Fajin e keni vetë! Të dashur miq, sot ishte një ditë e veçantë në parlamentin shqiptar. Deputetët e opozitës nxorën në dritën e diellit fytyrën e shëmtuar.
Nxorën në dritën e diellit krimin monstruoz ndaj shqiptarëve të Edi Ramës me drejtësinë e re. Sot deputetët e opozitës ia thanë fjalën në fyt mercenarit Nuredin Dumani, Altin Dumani. Sot ia nxorën edhe njëherë fytyrën avokatit të krimit monstruoz qeveritar para shqiptarëve. Sot ishte gjyqi publik i asaj drejtësie, të cilën kërkojnë t’ua shesin si sukses qytetarëve shqiptarë, që kanë humbur drejtësinë me këtë reformë sorosiane. Të asaj drejtësie të munguar për shqiptarët. Sistem në të cilin çdo qytetar për të marrë një vendim gjykate për çështje civile, duhet të presë 14.6 vite. Për çështje penale duhet të presë 10 vite. Pra, rikthehet vetëgjyqësia, rikthehet mungesa e drejtësisë,” tha Berisha.