Kreu i PD Sali Berisha, ka zhvilluar këtë mërkurë një takim me qytetarë në Vaun e Dejës.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka akuzuar qeverinë se çdo tender dhe prokurim i realizon me fond limit maksimal.
“Të dashur banorë të Bushatit, Vaut të Dejës. I dashur zoti deputet, përulem me nderimin më të thellë dhe mirënjohjen ndaj demokratëve të Vaut të Dejës dhe të gjithë kësaj zone për mbështetjen që i kanë dhënë PD nga dita e themelimit të saj deri më sot. Kjo mbështetje ka pasur për ne rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm në sukseset e mëdha në qeverisje. Takohemi sot në një moment të vështirë, në një moment që do të thoja dramatik për vendin. Para syve tanë Shqipëria çdo ditë pakësohet. Një shpopullim i frikshëm dhe i pabesueshëm, gjeta një ndjenjë dhembshurie nga ky shpopullim. Por kjo është kudo. Kjo ndodh kur ky vend është i bekuar me pasuri natyrore. Ju garantoj se nuk ka tokë më pjellore se toka e Bushatit dhe nuk ka njerëz më punëtorë se ju, por djemtë e vajzat tuaja largohen. Gjithçka është diktuar nga kjo qeveri. Kjo qeveri grabit natën e ditën, pasuritë tona janë shndërruar në një mallkim për ne. Prodhimet tuaja në vend të marrin vlerë, mbeten pa shitur. Prodhimet tuaja nuk sjellin fitim”, tha Berisha.