LUSHNJE, 29 maj 2013 – Kryeministri Berisha ka përuruar sot nisjen e punimeve të rrugës në aksin Hysgjokaj-Rrasë-Vashaj, në Lushnje.

Në fjalën e tij, sërish kryeministri ka premtuar asfaltimin e çdo kilometri rrugë në të gjitha zonat e vendit.

“Rruga jonë është një rrugë e ndershme e bazuar në projekte zhvillimi. Këto vite është investuar nga 10 deri në 22 hëre më shumë se në kohën e qeverisjes socialiste. Ne po ecim drejt integrimit europian dhe përpara nesh tani hapet një treg i madh në të cilin konkurenca është shumë e madhe. Prandaj ne do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar fermerët që të ecin sa më përpara në tregun e madh europian.
Në këtë kohë eksportet bujqësore janë trefishuar por ju nuk keni patur rrugën që meritoni, nuk keni patur vaditjen që meritoni, nuk keni opatur plehrat e duhur kimik për prodhimet tuaja bujqësore. Por në 4 vitet e ardhshme ne do të rimbursojmë me para në dorë TVSH e makinerive, imuteve, plerave dhe kimikateve, dhe të çdo gjëje tjetër që do të blini për rritjen e prodhimit në fermat tuaja. Do të kompesojmë me para në dorë akcizën e naftës që do të shpenzoni për të punuar tokë e fermave tuaja”.

Kryeministri ka premtuar se në Shtator do të fillojë projekti më modern i sistemit të vaditjes për fermerët shqiptar, dhe aplikimet për këtë projekt do të fillojnë nga Lushnja. Ky është një projekt i cili kushton 60 milion Euro, dhe do të jetë projekti më i madh në vitet që vijnë sëbashku me “Rrugën eArbrit” dhe “Boshtin e Jugut”.
Berisha nuk ka lënë pa sulmuar edhe kryesocialistin Rama, duke i bërë thirrje që të vijë dhe të shikojë kodrat dhe serat e Hysgjokajt.

“ Zoti kryetar. Ftoje këtu shokun e autobuzit dhe i thuaj hiqi gjyslyket e etërve tuaj. Hidhi sytë në atë shpat të shohësh se ku janë Hysgjokajt, se kush janë gratë dhe burrat e kësaj komune dhe çfarë dinë të bëjnë ata. I thuaj se ato shpate nuk i ka bërë Sali Berisha por i kanë qëndisur gratë dhe burrat e Hysgjokajt. Por Sali Berisha dhe qeveria e tij ka bërë dhe po bën gjithçka për ti mbështetur, për tu lehtësuar jetën dhe për tu ofruar shërbimet dinjitoze që ata meritojnë”, tha Berisha.