TIRANE – Kryeministri Berisha komenton në rrjetin social “Facebook” kërkesën e deputetëve të PD-së për heqjen e mandatit të deputetit socialist Fidel Ylli, që pritet të votohet sot në Kuvend. Sipas kryeministrit Berisha, deputeti Ylli ka shkelur Kushtetutën duke përfituar nga pasuria publike. 
 

“Një ambasador që kishte qenë avokat shumë i njohur me tha një herë se: Kam patur disa klientë miliarderë që kishin vjedhur nga një miliard dollarë, por problemi i tyre më i madh ishte se çdonjëri prej tyre donte të vidhte edhe një tjetër miliardë. I tillë është dhe rasti i supermiliarderit të kupolës së PS-së, Fidel Ylli, për të cilin Parlamenti voton sot për t'i kërkuar Gjykatës Kushtetuese heqjen e mandatit. Kushtetuta e vendit i ndalon deputetit të nxjerrë përfitime nga pasuria publike. Z.Fidel Ylli shumë muaj pasi është bërë deputet i ka shitur motrës frekuencën publike të radios që menaxhonte sikur të ishte pronë familjare. Motra që jetonte me një rroge modeste, një mëngjes të bukur lumturisht dhe papritmas u gdhi miliardere dhe i pagoi vellaçkos miliarder qindra milionë leke për frekuencën publike të radios që bleu prej tij.”- shkruan kryeministri në “Facebook”. 

“Fideli i Partisë nuk ka faj! Jo, fajin e kanë miliardat që gabimisht kishin mbuluar dhe bërë të palexueshëm për të, nenet e Kushtetutës.”- përfundon kryeministri Berisha. 
 

Grupi kuvendor demokrat kërkon që Parlamenti të votojë sot kërkesën për dërgimin e çështjes e mandatit të deputetit socialist në Gjykatën Kushtetuese. Sipas PD-së, deputeti Ylli ka shkelur nenin 70 të Kushtetutës, pasi ka rezultuar të jetë ortaku i vetëm i një radioje, në dhjetor të vitit 2009, ndërkohë që ai ishte shpallur deputet, me vendim të KQZ-së, që në gusht të këtij viti.