Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim me pensionistët në Durrës. Në fjalën e tij, Berisha tha se kam ardhur të diskutoj me ju programin e ardhshëm të PD-së, problemet që rëndojnë mbi vendin, siç është ikja masive e të rinjve, etj.

FJALA E BERISHES:

Edhe njëherë mirëmbrëma dhe faleminderit shume që jeni sot këtu. Kam shumë kënaqësi që ju takoj.

Së pari, të shpreh një mirënjohje të pakufishme për të gjithë energjinë, përkushtimin, kontributin që ju keni dhënë në këto dekada për Durrësin, për Shqipërinë, për PD.

Por sot, kam ardhur tek ju për të biseduar me ju mbi projektin e ardhshëm të PD për ta diskutuar dhe paraqitur para jush. Çdo njëri prej nesh sot ka një brengë të madhe kur konstaton se në 9 vite, u larguan nga Shqipëria rreth 40% e popullatës, dhe kjo është shumë reale.

Kaq shumë nuk ka asnjë komb tjetër të ketë humbur në 9 vite. As ata që kanë kaluar në luftëra civile, as ata që kanë provuar luftëra të përgjithshme, siç provuam ne në këto 9 vite.

Ndërkohë, që e vërteta është, statistikat zyrtare, shqiptare dhe evropiane, tregojnë se nga viti 2007 gjer në vitin 2013 numri i shqiptarëve në Shqipëri rritej nga viti në vit. Dhe t’u them unë ju, nuk është se nuk largoheshin, nuk lëviznin. Por vitet e fundit u rikthyen në Shqipëri 180 mijë shqiptarë nga emigracioni.

Merr njëherë një ambasador gjerman, dhe më thotë: nuk kemi problem me azilantët tuaj, se gjithsej nja 400 e sa, po si mund t’i dallojmë tha, janë shqiptarë nga Shqipëria, apo nga Kosova. Në vitin 2012-2013 kishte gjithsej 430 e sa shqiptarë që kishin kërkuar azil në Gjermani.

U ndala në këto shifra se, kur krahason sot këtë largim masiv, këtë spastrim masiv, kjo përbën një dramë shumë të madhe kombëtare, e cila në qoftë se nuk e ndalojmë, absolutisht në një hark kohor jo më vonë se 20, maksimumi 30, në këto troje nuk do merret mend kush do jetë këtu. Sepse janë ritme të papara shpopullimi, zbrazje.

Pikërisht kjo ka bërë që, analistë shumë të shquar, publicistë shumë të shquar, ta cilësojnë Edi Ramën si Pashiqi shqiptar, apo kryeministri më i mirë pas Pashiqit.

Nuk dua të ndalem gjatë në këto përshkrime sepse, njerëzit sot nga ne presin zgjidhje. Është gjëja më normale të shtrojnë pyetjen: cila është zgjidhja juaj zotëri? Se këtë realitet e prekim çdo ditë. Ky realitet ka shumë anë të trishta, por ky realitet do zgjidhje.

Dhe unë kam ardhur këtu, për të paraqitur zgjidhjen që ne kemi, duke ju garantuar se ne i japim përgjigje shumë të fuqishme, shumë të shpejt këtij realiteti. Dhe ju siguroj se, ekzistojnë të gjitha mjetet për këtë përgjigje.

Cila është përgjigja jonë, në çfarë konsiston? Ne do përmbysim modelin e derisotëm të shpërndarjes së të ardhurave kombëtare të buxhetit. Dhe kjo përmbysje nënkupton që, pjesa dërrmuese e tij duhet t’ju rikthehet qytetarëve me urgjencë.

Midis këtyre qytetarëve që duhet t’ju rikthehet, janë pensionistët të parët. Pse pensionistët? Sepse ata me pensionet që marrin, janë absolutisht qeniet më të keqtrajtuara në Evropë, dhe ndër më të keqtrajtuarit në botë.

Pensionet në Shqipëri, nga viti 2013 gjer sot, në rast se i ballafaqojmë me rritjen e çmimeve janë të paktën 30% më të ulëta se sa në vitin 2013. Buka sot, është dyfishi. Qumështi, veza, të gjitha produktet bazë janë dyfishi, ose 60, 80% më të shtrenjta se sa ishin në vitin 2013.

Sot, ka ardhur një kohë e egër, ku me pensionisti me 160 mijë lekë në xhep, të vjetra, apo edhe më pak, shkon në dyqan, sheh çmimet, i ka më të shtrenjta se në Itali, i ka më të shtrenjta se në Greqi, i ka më të shtrenjta se në Gjermani. Po flas për ushqimet bazë, dhe ky është një realitet i pamohueshëm.

Pra, në rast se çmimet janë sot në tregun shqiptar, 10 gjer 250% më shrenjtë se sa mesatarja e çmimeve në BE. Pensionet e qytetarëve shqiptarë janë pakrahasimisht më të ulëta se të atyre. Pensioni mesatar i një qytetari shqiptar është 160 mijë lekë. Pensioni mesatar i një malazezi është 450 mijë lekë. Absolutisht, pensioni mesatar i një maqedonasi është 280% më i lartë se Shqipëri.

Pensioni mesatar në Serbi është 350% më i ltartë se në Shqipëri. Pensioni mesatar në Kosovë ishte 190 mijë, kryeministri i Kosovës me një vendim para dy muajsh, u tha qytetarëve: unë do ua rris 20% pensionin. Dhe mori nga buxheti i shtetit 100 milionë euro, i kaloi te fondi i pensioneve, i cili për Kosovën ishte 500 milionë euro. Dhe vërtet, çdo pensionist në Kosovë mori 20% më shumë se sa merrte para atij vendimi.

Kurse këtu, çfarë ndodh këtu? U premtua në dhjetor të vitit të kaluar, u votua në parlament. Votimi në parlament është ligj, ta dini ju. U votua buxheti. Por buxheti është ligj, ligji i shtetit. U votua që pensionistëve në mars do t’u indeksohet me 4% rritja e çmimeve.

Nuk iu dha asnjë lekë, u shkel ligji. Ndaj kujt? Ndaj atyre që numërojnë kafshatën, dhe gjer në tetor nuk iu dha një qindarkë. Dhe këto lekë nga marsi gjer në tetor, doli zotëria tha: do ua jap bonus para vitit të ri.

Ato që i vodhi, apo luajti bixhoz, çfarë bëri me to, kush e merr vesh, dhe tani u kujtua t’i kthejë në shkelje flagrante të ligjit.

Erdhi buxheti i dytë i 2025. E njoftoi se, ky buxhet është më i madhi në histori. 8.2 miliardë. Sa la për pensionistët thoni ju? 16 milionë.

A ka tallje më të madhe, a ka cinizëm më të madh. A nuk është ky një shumëzim me zero i 780 mijë shqiptarëve. Në 8.2 miliardë, ndan 16 milionë.

Sot, i fali Gjikurisë 20 milionë, që ta dini ju, me ligj parlamenti. Ai ligji që thanë për gjobat, po ia falim fshatarëve. Nuk kishte punë me fshatarët fare. Ai kishte punë me Gjikurinë, Qefalinë dhe njerëz të tjerë të qeverisë. Së bashku, me atë ligj kanë falur sot 70 milionë euro. Se i kanë ndërtuar resortet, agro-resortet pa leje fare, tani ua heq gjobën që i ka vënë dhe ua jep legalizimin.

780 mijë pensionistëve u la gjithësej për vitin 2025, 16 milionë euro. Nuk ka vend që e bën këtë kurrë, kurrë.

Në vitin 2013, të dashur miq, ne arritëm të dalim në krye për rrogat dhe pensionet në rajon dhe kjo ishte, të themi si të doni, por ishte një arritje për ne që vinim më të varfrit e rajonit prej shumë e shumë kohësh, të dilje në krye ishte një frymëmarrje e vërtetë, ishte një arritje e vërtetë. Po ku jemi tani. Tani jemi në gropë dhe më thellë, honet e varfërisë.