AZERBAJXHAN, 8 prill 2013 – Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në Azerbajxhan për forumin ekonomik botëror, është takuar me Presidentit azer Ilham Aliyev.
Një vend të veçantë në këtë takim zunë diskutimet për projektin e gazsjellësit TransAdriatik TAP. Kryeministri Berisha theksoi në takim se TAP është projekti më fizibël, më ekonomik dhe me tregun më të gjerë dhe më të garantuar.
Kryeministri Berisha e njohu presidentin Alyiev me marrëveshjet trilaterale të firmosura nga Shqipëria, Italia dhe Greqia, ratifikimin e tyre nga Shqipëria dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të përmbushur me përkushtim detyrimet që rrjedhin nga këto marrëveshje dhe të gjitha detyrimet kontraktuale të këtij projekti.
Nga ana e tij Presidenti Aliyev theksoi se gjatë muajve që vijnë konsorciumi Shah Deniz 2 do të vendosë për projektin që do përzgjedhë për transportin e gazit Kaspik në Europë dhe sigurisht kriteret ekonomike dhe të tregut do të kenë një rëndësi parësore në vendimin e tyre.
Kryeministri kërkoi ndihmën e qeverisë se Azerbajxhanit për hartimin e një masterplani për gazifikimin e Shqipërisë.
Në takim u diskutua dhe për bashkëpunimin në fushën e turizmit, energjisë së rinovueshme dhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët, teksa kryeministri Berisha ftoi presidentin Alyiev për të vizituar Shqipërinë në kohën më të shpejtë e më të përshtatshme për të.





