Partia Demokratike ka mbledhur sot në 8 prill Grupin Parlamentar. Fjalën i pari e ka marrë kreu i partisë, Sali Berisha.
Bëri me dije se duhet të përgjysmohen taksat për naftën, pasi janë më të lartat në botë.
“Përshëndes armëpushimin e arritur në konfliktin mes SHBA-ve dhe Iranit. Ky rajon ka një rëndësi strategjike sa i përket naftës. Duhet të përmbyset sistemi aktual i taksave mbi litrin e naftës. Në Shqipëri një litër naftë ka 1 euro taksë. Kjo taksë bie në kurrizin e qytetarëve. Kjo penalizon çdo shtresë të popullsisë, jo vetëm ata që kanë makina. Kjo është taksa më e lartë në botë, edhe se vende që janë shumë të zhvilluara, edhe më të larta se Singapori e Hong Kongu. Nëse e proporcionon me të ardhurat, një gjerman shpenzon për naftën 1.25 përqind të të ardhurave ditore, kurse shqiptari shpenzon 7.8 përqind të të ardhurve ditore. Tokat djerrë po shtohen dhe bagëtitë therren, sepse çmimi i ushqimeve të bagëtive rritet. Ka vetëm mashtrime për qytetarët. Duhet të përgjysmohen taksat për naftën”, tha Berisha.
Më tej, iu bëri thirrje qytetarëve që të dalin në shesh më 17 prill, që të protestojnë kundër vjedhjeve.
“Këta dinë vetëm të vjedhin. Më 17 prill është data e shqiptarëve. Është dita, për të cilën shqiptarët ëndërrojnë Europën. Ky sistem kriminal, që njeh vetëm vjedhje meriton një ndëshkim nga ju qytetarë”, u shpreh Berisha.
Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi u shpreh se mazhoranca po tenton që të asgjësojë opozitën.





