TIRANE – Në mbledhjen e përjavshme të Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha theksoi se taksa e sheshtë mbetet më optimalja për ekonominë, por siç tha ai çdo model ka nevojë për reformim. Duke iu referuar vendimit për heqjen e taksës për të ardhurat personale nën 300 mijë lekë, shefi i qeverisë tha se nga ky vendim përfitojnë 200 mijë punonjës vetëm nga sektori privat dhe 15 mijë nga ai publik.
Sipas kryeministrit Berisha, modeli i propozuar nga opozita për taksimin progresiv është një politikë që ka rezultuar e falimentuar.
“Ata të cilët sulmojnë taksën e sheshtë e sulmojnë kryekëput nga pozita spekulative. Pretendimi se ajo është e njëjtë për të gjithë, është mashtrim absolut. Po, ajo është e njëjtë si përqindje por është e ndryshme në vlerë, aq sa ndryshojnë rrogat nga njëra-tjetra, të ardhurat nga njëra-tjetra. Jo urrejtje ndaj të pasurve, sepse në mënyrë të përsëritur politikat që kanë synuar të zgjidhin problemin e të varfërve duke shkatërruar të pasurit, kanë falimentuar. Ato janë politika që bazohen tek zilia për atë që ka dhe politika që kanë dalë në Shqipëri nga arkivat e Partisë së Punës së Shqipërisë, siç ishte rasti i taksës Koleka. Gazetarët investigative gjetën dhe dokumentin e tij, por që do mbeten vetëm në arkiva.”- u shpreh Berisha.
Sipas kryeministrit Berisha , “vendimi më madhor është ky që marrim sot, heqja e taksës për të ardhurat personale nën 300 mije lekë. Kjo e bën Shqipërinë në rrafshin e krahut të punës një nga vendet më kompetitive në Europë dhe më gjerë. E bën një nga vendet më tërheqëse për krahun e punës. Investitori do të vije në Shqipëri, do sjellë makineritë pa TVSH, do punësojë qytetarët për ata që kanë rroga nën 300 mijë leke pa taksë mbi të ardhurat personale.”
Më tej kryeministri pohoi se kjo paketë reformash, heqja e TVSH-së për makineritë dhe heqja e taksës për të pagat e ulëta, do të ketë efekt negativ të përkohshëm për buxhetin e shtetit, por do të sjellë efekte pozitive për qytetarët.
“Sigurisht këto masa fillimisht do të kenë një efekt negativ mbi buxhetin, sepse makineritë që importohen pa TVSH, TVSH ishte një e ardhur e rëndësishme për buxhetin. Por reformat kanë gjithnjë një shtrëngim të përkohshëm dhe në këtë rast fatmirësisht jo për qytetarët. Për qytetarët është një efekt pozitiv, për administratën është i përkohshëm efekti negativ. I gjithë rezultati i reformave tona është marrë dhe do merret me krijimin e vendeve të reja të punës. Jam i bindur se me këtë paketë të re reformash të rëndësishme, ekonomia shqiptare do të jetë e aftë të gjenerojë dhjetëra mijëra vende pune.”- u shpreh kryeministri.