Kreu i ekzekutivit mori pjesë në përurimin e impiantit të përpunimit dhe riciklimit të metaleve
“Ata që premtojnë sistemin e taksave socialiste jetojnë me ëndrra të këqija, ne jemi për thithjen e investimeve të huaja, në Shqipëri dhe vetëm tre vitet e fundit investimet janë rritur 316%”,- kështu ka dekaruar nga Durrësi kreu i qeverisë,Sali Berisha, i cili mori pjesë në inagurimin e impiantit të përpunimit dhe riciklimit të mbeturinave të metalit. Kryeministri tha se industria e riciklimit është një industri jetike për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit, mbajtjen e një mjedisi të shëndetshëm, por edhe një industri që punëson një numër të konsiderueshëm punëtorësh. Ndërsa pohoi se ky investim, në kohën e krizës që ka pllakosur vendet e rajonit e më gjerë, dëshmon besimin e investitorëve të huaj tek Shqipëria dhe politikat ekonomike e fiskale të qeverisë shqiptare. “Ky tingëllonte një zotim jo realist dhe pati nga ata që e interpretuan thjesht si limonadë elektorale, por ne nuk e ndërmorëm atë si të tillë. Investimet e huaja në Shqipëri, pas revolucionit fiskal që ne ndërmorëm duke vendosur këtu, barrën më të ulët të taksave në Europë, pas krijimit të One Stop Shop për regjistrimin e biznesit dhe dhënien e liçencave, nismës së kontratave me 1 euro, investimet e huaja në Shqipëri, nga viti 2006 – në vitin 2010, sipas UNCTAD, kanë shënuar rrije prej 316 për qind”,- deklaroi Berisha.
Kreu i ekzekutivit u shpreh se vitin e kaluar Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon, me rritje të investimeve të huaja. Më tej Berisha teksa iu referua programit të Partisë Socialiste për rritje taksash për të pasurit theksoi se kjo do të ishte një rikthim i taksave të socializmit. Teksa pohoi se kjo është ëndrra më e keqe kombëtare në historinë e këtij vendi, kreu i ekzekutivit tha se i kundërt është qëllimi i qeverisë që ai drejton. “Ne,- tha ai,- do të bëjmë gjithçka për të zgjeruar lirinë ekonomike. Ata që premtojnë rikthimin e taksave të sistemit socialist, jetojnë në ëndrra të këqija. Socializmi nuk ishte vetëm realiteti më i hidhur i këtij vendi, por edhe ëndrra më e keqe kombëtare, në historinë e këtij vendi. I kundërt është qëndrimi ynë. Ne vazhdojmë të persistojmë dhe të bëjmë gjithçka për të lehtësuar, për të zgjeruar lirinë tuaj ekonomike. Shqipëria, vërtet, vitin që kaloi ia doli të thithë 1 miliardë e 97 milionë dollarë investime të huaja, por unë jam i bindur dhe besoj se potenciali i saj është edhe 3 herë më i madh”. Kreu i ekzekutivit e konsideroi ndërtimin e këtij impianti një investim të rëndësishëm. Impianti i riciklimit në Komunën xhafzotaj, është investim i kompanisë gjermane “Shultz AG” me vlerë 8 milionë euro. Në këtë impiant do të përpunohen të gjitha mjetet, që kanë dalë jashtë përdorimit. Impianti ka një teknologji moderne dhe përpunon në parametrat më të mirë automjetin, me të gjitha pjesët e tij përbërëse, duke pasur si rezultat final një produkt njëqind për qind të padëmshëm.