TIRANË-Kryeministri Sali Berisha nisi sot me një fjalë mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRSH) ku bëri të ditur se do të shqyrtohen një sërë projektesh urbanistike. 

Gazsjellësi TAP

“Sot merret vendimi i shpalljes së TAP si një projekt i rëndësisë kombëtare. Sot merret një vendim tjetër i një rëndësie të madhe për miratimin e projektit të Gazsjellësit Transadriatik që sjell gazin e Kaspikut dhe Azisë qendrore drejt Evropës Perëndimore. Rreth 2 miliardë euro është investimi në Shqipëri”, bëri të ditur kryeministri në mbledhjen e KRRTRSH-së.

Kaskada e Devollit

Sipas Berishes njëri është kaskada e Devollit, që do realizohet nga kompania numër një e HEC në Evropë, ndërtuesi kryesor i HEC në botë, që menaxhon mbi 200 e ca HEC. 

“Ky është me më shumë se 800 milionë euro investim, në tre hidrocentrale, bazuar në tunele me dhjetëra kilometër, projekt ky që transformon në mënyrë rrënjësore sistemin hidroenergjetik të vendit dhe përbën një hop cilësor drejt shndërrimit të vendit në superfuqi energjetike rajonale. Punëson direkt e indirekt mbi 7 mijë punëtorë”- tha ai.