Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë sot në Tropojë për prezantimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për Bashkinë Tropojë, Besnik Dushaj.
Ai hodhi akuza të forta kundrejt qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama duke theksuar se Tropoja dhe Veriu pas Car Dushanit dhe Enver Hoxhës kanë tek Edi Rama armikun më të egër, racistin më të papërmbajtur.
Ai e akuzoi Ramën për shpopullimin e vendit dhe deklaroi se ndryshimi është jetik, pasi Shqipëria është në rrezik ekzistencial.
“Asnjë votë për Rexh Byberin. Po iu drejtohem socialistëve: më thoni pak, cili prej jush ka votuar për emërimin e tij për kandidat bashkie? Cili prej jush është pyetur? Kurrë mos votoni për ata që për hir të xhepit, ndërrojnë parti. Çdo socialist i Tropojës është 10 herë me më shumë integritet se Rexh Byberi. U garantoj se kësaj radhe, askush nga Biberajt nuk do e votojë. 14 maji është ditë ndryshimi i madh, hapet rruga për rrëzimin e këtij regjimi monist.
U garantoj se të gjitha institucionet do kthehen në Tropojë. U garantoj se i gjithë rrjeti elektrik i fshatrave të Tropojës do rindërtohet. U siguroj se Autostrada e Alpeve do jetë autostrada më panoramike e Ballkanit dhe Europës.
Ju bëj thirrje malësorëve të Malësisë së Gjakovës kudo që janë, në Tiranë, në Shqipëri, në Kosovë, në Europë dhe kudo që ndodhen. Më 14 maj të vijnë dhe të votojnë. Tropoja ka nevojë jetike për votën e tyre, e cila kësaj radhe është votë misionare. Të vijnë dhe të firmosin ndryshimin, të firmosin fitoren!”, deklaroi Berisha.
Ai tha se asnjë verior nuk mund t’i japë votën Ramës, pasi sipas tij, ai është racist që e ka sivëlla Vuçiçin.
“Përulem me mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh para jush, para të gjithë malësorëve për qëndrimet tuaja, për mbështetjen tuaj, për rolin që luani në fatet e Malësisë së Gjakovës, por edhe të gjithë Shqipërisë. Ju sjell përshëndetjet më të zjarrta, frymën e fitores nga Peshkopia, Bulqiza, Burreli, Klosi, Mamurrasi, Fushë Kruja dhe mbarë Shqipëria.
Kjo pranverë shënon njëlloj si pranvera e vitit 1992, fundin e sistemit monist, fundin e pushtetit të përqendruar në duart e një njeriu, fundin e atij sistemi që ka sjellë për shqiptarët, por edhe për çdo vend tjetër ku është instaluar, dramat më të mëdha njerëzore.
Sot ne vijmë në këtë shesh më të vendosur se kurrë, më të sigurt se kurrë, me 14 maj me votën tonë, duke votuar për Besnik Dushën, qytetarin shembullor, menaxherin e shkëlqyer, kemi votuar për përmbysjen e monizmit dhe vendosjen e pluralizmit. Besnik Dusha është një malësor që mishëron vetitë më të arrira tuajat, dashurinë e madhe për Malësinë e Gjakovës, për qytetarët e saj, përkushtimin e pakufizuar për të bërë të mundur shërbimet më dinjitoze që meritoni, për të përdorur taksat tuaja në mënyrën më transparente.
Besnik Dusha ka një detyrë, ajo detyrë është të ftojë këtu në këtë shesh, para jush, Rexh Byberin dhe t’i thotë: hajde t’u japim llogari këtyre qytetarëve, t’i nxjerrim xhepat, të bëjmë bilancet, çfarë ke bërë ti dhe çfarë kam bërë unë gjatë qeverisjes, t’u thuash të gjitha mendimet që ke.
Rexha e ka shndërruar bashkinë në një gropë më të thellë se përroi i Shendelicës. Dalja e qeveritarëve para qytetarëve është akt ligjor dhe moral i detyrueshëm. Por Rexha nuk del sepse nuk mund të dalë. I del gropa e madhe që ka bërë në bashki, i dalin tenderat që i ka dhënë siç ai i din.
I dalin të gjitha aktet e tij, me të cilat vërtet nuk iu ka shërbyer qytetarëve të Malësisë së Gjakovës, por vetëm xhepit të tij. E pashë në Kukës me Edi Ramën, Edi Rama i thoshte Safet dhe Rexhë, vallen e Tropojës, por ata dinë vetëm vallen e lekut, nuk dinë valle tjetër. Këto zgjedhje janë shumë më tepër, janë shumë më tepër se zgjedhje për qeveri vendore. Janë zgjedhje kundër një njeriu që ka pushtuar, ka marrë në dorë të gjitha pushtetet dhe i përdor kundër qytetarëve. Kundër një njeriu që ka zbrazur Tropojën si asnjë pushtim.
Ka larguar çdo institucion. Kundër një njeriu, që javën e parë që erdhi në pushtet, preu ndihmën ekonomike për qarkun e Kukësit në 20 mijë familje. Një racist i egër! Preu ndihmën ekonomike vetëm pse nuk e votuan në vitin 2013. Tropoja dhe veriu, ia them përsëri, kanë te Edi Rama pas Enver Hoxhës dhe Car Dushanit, armikun më të egër, racistin më të papërmbajtur. Asnjë verior nuk mund t’i japë votën atij. Edi Ramës nuk i jepet vota. U them socialistëve të Tropojës se kam respekt për ta, për qëndrimin në opozitë siç kam qëndruar edhe vetë. Por nuk i jepet vota atij që i thotë se e kam sivëlla Vuçiçin dhe kundërshtar Albin Kurtin”, theksoi Berisha.
Berisha deklaroi se pas rivendosjes së pluralizmit me votimin e Besnik Dushës, shumë shpejt Rama do i thotë mirupafshim pushtetit.