Të hënën e 6 nëntorit, ish-kryeministri Sali Berisha do të duhet të paraqitet në Gjykatën e Posaçme, tek oficerja e SPAK që po e heton për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata, ai duhet të paraqitet përpara autoriteteve dy herë në muaj, të hënën e parë dhe të tretë dhe pikërisht 6 nëntori është edhe data e parë kur ai do të duhet të paraqitet.
Por çfarë parashikohet nga ligji nëse Ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të paraqitet?
Sipas nenit 231 të Kodit të Procedurës Penale, në rastet kur ka shkelje të masave të sigurimit, gjykata mund të vendosë një masë tjetër me të rëndë.
“Në rast shkelje të detyrimeve që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë tjetër më të rëndë, duke mbajtur parasysh rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes. Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë shtrënguese”, thuhet në nenin 231 të Kodit të Procedurës Penale.