Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje kandidatëve të opozitës që të shfrytëzojnë maksimalisht mediat sociale në fushatë, duke marrë shembull fitoren e Donald Trump në vitin 2016.
Gjatë një takimi me strukturat e PD-së, Berisha i inkurajoi kandidatët dhe mbështetësit e tij që të ndajnë dhe postojnë sa më shumë përmbajtje në platformat sociale për të sfiduar atë që e cilëson si kontroll të qeverisë mbi mediat tradicionale.
“Na mbeten mediat sociale. Ju të gjithë i keni dhe duhet t’i përdorni në shkallën më të lartë. Donald Trump fitoi në vitin 2016 falë tyre, sepse mediat nuk i kishte me vete,” tha Berisha.
Ai u ndal edhe te vendimi i qeverisë për të bllokuar TikTok-un në Shqipëri, duke u bërë thirrje qytetarëve të përdorin VPN për të aksesuar platformën. Sipas tij, qeveria ka frikë nga ndikimi i rrjeteve sociale dhe po tenton të kufizojë lirinë e shprehjes.
“Shkarkoni VPN për TikTok, mos e injoroni! Pse? Sepse kjo platformë e ka tmerruar qeverinë. Ka shkuar deri aty sa të ndërhyjë për të fshirë llogari të caktuara,” theksoi ai.
Berisha akuzoi qeverinë për censurë dhe përpjekje për të kontrolluar fjalën e lirë në internet, por theksoi se opozita do të vijojë të luftojë përmes mediave sociale.