TIRANË– Kryeministri Berisha kërkoi sot njohjen në Shqipëri të lejeve të drejtimit të marra në vendet e tjera, ndërsa nuk kurseu deklaratat plot akuza mbi taksën progresive, projekt i PS.
Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha kërkoi gjithashtu që të mos krijohen radhë në pagesat e taksave dhe kontrollin e automjeteve. Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të ndihmojë me fonde biznesin social ndërsa kërkoi edhe bashkëpunimin e biznesit për krijimin e këtij fondi.
“Fondi i biznesit social synon të punësoj njerëzit më të varfër që të hapin biznesin e tyre. Ata që dëshirojnë që këtë font ta derdhin në biznesin social ne do të hartojmë ligjin që ta bëjmë të mundur këtë” tha Berisha.
Taksa
Kreu i qeverisë citoi edhe një studim ndërkombëtar ku thuhet se taksa e sheshtë është taksa më optimale ndërsa ka sulmuar edhe kreun e PS-së në lidhje me taksën progresive.
“Ajo çfarë ky studim fakton është se kjo taksë është e rrezikshme, dhe kjo është taksa progresive. Studimi thekson se në pamje të parë kjo taksë shton barazinë, por në fakt kjo taksë e thellon më shumë pabarazinë. Prandaj ky parim sot duhet pranuar. Taksa progresive përbën një kërcënim serioz dhe uroj që zoti Rama mos ta përdorë atë” shtoi Berisha.
“Natyrisht cdo taksë është një barrë për qytetarin por ndryshe nuk funksionon dhe rëndësi më të jashtëzakonshme ka shpërndarja. Dhe ne sot kemi nj certifikatë, kemi një pasaportë nga grupet më të fuqishme të konsulencës ku Shqipëria renditet e katërta në botë për shndërrimin e zhvillimit në mirëqënie, kjo e irriton z Rama, e irriton shumë. Kjo është e vërteta, të vërtetat duhen pranuar. Ajo cka fakton ky studim është se, një taksë është e rrezikshme, kjo është taksa Koleka apo taksa progresive. Jo thotë ai, përkundrazi, nëpërmjet saj ti vetëm sa përpiqesh të arrish në një barazi, e thellon më shumë pabarazinë. Prandaj ky parim thotë se, ky parim duhet harruar. Ky në një anë thotë nuk e kam dajë. E dinë gjithë bregu, historinë e dajave të tij. Për mua më mirë ta kishte baba dhe ta mohonte për taksën se të mbante anën e taksës Koleka. Përbën kjo taksë një kërcënim serioz dhe të madh. Uroj që është një xhaketë e vjetër që varet në një arë gruri në një dru që të mos e hanë zogjtë, por të shërbejë për t’i trembur”, u shpreh Berisha ne mbledhjen e qeverise.