Kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar ditën e sotme se Partia Demokratike nuk do t’i njohë kurrë zgjedhjet e 11 majit. Në konferencën me gazetarët, Berisha u shpreh se të njohësh këto zgjedhje, do të thotë të të bëhesh bashkëautor në atë që ai e quan “krimin më të madh elektoral në vend” pas 1946. Ai theksoi sërish se u përket shqiptarëve dhe opozitës që të ngrihen në betejat për rikthimin e votës së lirë të qytetarëve të Shqipërisë dhe diasporës.
“Po afrohet momenti kur, PD do të marrë vendimet përkatëse. Një gjë është e sigurt që, PD këto zgjedhje nuk do t’i njohë kurrë. Unë të kuptoj, por të imagjinosh për një moment të njohësh këto zgjedhje, do të thotë të bëhesh bashkëautor në krim, në krimin më të madh elektoral në historinë e Shqipërisë pas 1946. Pas zgjedhjeve pluraliste të vitit 1946 të cilat patën një fat të ngjashëm, por në atë kohë kishim të bënim me diktaturë totalitare, e cila kishte zero tolerancë ndaj pluralizmit, kurse tani kemi të bëjmë me një diktaturë autoritare, e cila e pranon pluralizmin duke e shtypur atë, siç e shihni.
Pra, unë deklaroj këtu se çdo shqiptar, çdo opozitar, që mendon se mund të tolerohen këto zgjedhje bëhet bashkautor në këtë megakrim elektoral dhe shkelmon mbi idealet e tij të lirisë, të votës së lirë. Kam besim se, shqiptarët do t’i përgjigjen në mënyrën më të fuqishme kësaj farse që Edi Rama më 11 maj. Edhe njëherë theksoj: mjaftojnë këto të dhëna, të cilat faktojnë më mënyrën më absolute angazhimin total të administratës në interes të partisë së krimit, faktojnë ekzistencën e partisë shtet, për të dëshmuar se, këtu nuk kishte zgjedhje, por kishte farsë. U përket shqiptarëve dhe opozitës, të ngrihen me gjithë fuqinë e tyre, të gatshëm për çdolloj, me vendosmëri për çdo betejë për rikthimin e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë…. PD do ta bëjë këtë betejë kudo, kudo…kudo! Është betejë për jetën ose vdekjen e votës së lirë.”, tha Berisha.





