Me tone të ashpra ka nisur që në fillim seanca plenare e kësaj të enjteje. Sali Berisha mori fjalën i pari dhe u kërkoi deputetëve të rrëzojnë marrëveshjen për Portin e Durrësit.

Sipas Berishës, marrëveshja për marinën e Durrësit është antiligjore dhe në dëm të durrsakëve dhe gjithë shqiptarëve. Ai kërkoi të mos jetë e kushtëzuar fjala e deputetëve për këtë çështje.

Berisha u shpreh se në Shqipëri po zhvillohet tregtia e bitcoinit nën patronazhin e vëllait të kryeministrit, Olsi Rama. Ai shtoi se paratë e Portit të ri të Durrësit do të ndahen mes miqve të Edi Ramës dhe shqiptarët do të detyrohen të largohen nga vendi.

“Egnatia lidhej me Kostandinopojën. Sot ky port asgjësohet. Kapaciteti i tij është aktualisht 8 milionë tonë mall përpunim, ndërsa sot ka arritur në rreth 4.5 milionë. Për qytetarët e Durrësit ka qenë porti që ata kanë siguruar kafshatën dhe jetesën. Sot klani Rama merr përsipër të përvetësojë 200 mijë metër katror. A e keni marrë vesh ju tregtinë që bëhet me bitcoinat nën patronazhin e Olsi Ramës. A ju kujtohet një deklaratë e Çelës që tha se pa energji po na lë bitcoini. E mbani mend me sa emergjencë erdhi këtu ligji i bitcoinit? Ato call center-a të cilat ndiqeshin në bursë janë nën hetim të plotë, ndërsa kto të bitcoinave kanë mbrojtje nga shteti. Do të mblidhen këtu mumuthët e Shqipërisë dhe të lindjes së mesme. Shqiptarët ose do të bëhen shërbëtorët e tyre ose do të largohen në Europë. Nga do të dalin këto 2 miliardë euro? Pra këta këtu fitojnë 2 miliardë euro, ndërsa shqiptarët këtu vuajnë pasojat. Nëse keni ndërgjegje kombëtare hidheni poshtë këtë marrëveshje! Shkel kushtetutën e Shqipërisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit”, u shpreh Berisha.