TIRANE, 23 prill 2013 – Vota e të rinjve shihet nga kryeministri Sali Berisha si çelësi i fitores në zgjedhjet e 23 qershorit. Gjatë takimit që kreu i ekzekutivit zhvilloi sot me pedagogë të Universitetit të Tiranës, Berisha theksoi se të rinjtë duhet të shohin tek PD, partinë që bëri realitet anëtarësimin e vendit në strukturat euroatlantike dhe bëri realitet ëndrrën e vjetër të shqiptarëve për të udhëtuar pa viza në Europë.  

"Ne jemi fatlumë që në çdo zgjedhje së paku 200 mijë të rinj fitojnë të drejtën e votës. Të rinjtë nuk e njohin diktaturën komuniste dhe nuk i këshilloj fare të lodhen që të bëjnë studime të thelluara mbi të, po sigurisht njohuritë kryesore i kanë dhe ata nuk mund të pranojnë mbrojtjen që PS i bën asaj të shkuare. Çdo i ri që interesohet për proceset integruese do të gjejë se PD është ajo që anëtarësoi vendin NATO, mori liberalizimin e vizave, mori propozimin për status, por u bllokua në mënyrën më të papranueshme me bllokimin e 3 ligjeve. Vendit nuk mund t’i nxjerrësh mur përpara, është jashtë çdo koncepti. Një njeri që ka minimumin e atdhetarizmit s’mund ta bënte kurrë një gjë të tillë”- deklaroi kryeministri. 

Gjatë bashkëbisedimit me pedagogët Berisha theksoi rëndësinë që ka pjesëmarrja e të rinjve në votime. Në të njëjtën kohë ai nuk ka pa shigjetuar aleancën PS-LSI, kur deklaroi se bashkimi i dy partive të majta u ndërmjetësua nga një kontrabandist. 

“Në marrëdhëniet e të majtëve me njëri-tjetrin në Shqipëri, mirë bëjnë aleancë, por të marrin për nun një kontrabandist… Po nuk gjen një kumbar tjetër përveç kumbarës së Durrësit. Kjo sigurisht për të rinjtë është shokuese. Të gjitha historitë që tregohen janë 100% të vërteta. Janë të gjithë këta faktorë që bëjnë që të rinjtë shqiptarë të kenë me të drejtë një besim më të madh tek Partia Demokratike”- tha Berisha.