TIRANE, 25 prill 2013 – “Unë sot nuk kam moshën tuaj, por forca e pathyeshme e imja qëndron në zemrat tuaja, besimi im është në energjinë tuaj, përkushtimi, në vizionin tuaj, ja sepse unë ndjehem gjithnjë bashkëmoshatar me ju”,- tha kryeministri Sali Berisha gjatë Konventës së Partisë Demokratike për Rininë që u mbajt pasditen e sotme.
Ai u premtoi të rinjve se do t’i udhëheqë hapa pas hapi, deri në shndërrimin e ëndrrave të tyre fisnike në realitet. Në të njëjtën kohë kreu i ekzekutivit kërkoi nga të rinjtë që ta duan gjithnjë e më shumë Shqipërinë.
“Më 23 qershor bashkë do të rikthejmë edhe njëherë uraganin e vitit 1992, fitores që do shndërrojë Shqipërinë në vend të zhvilluar, në vend të punësimit masiv të qytetarëve, të mirëqenies dhe teknologjisë më të lartë”- tha Berisha.
Konventa u përshëndet edhe nga kryetari i Bashkisë Tiranë Lulzim Basha, i cili theksoi se Partia Demokratike ka zgjedhur si prioritet rininë, ndaj i bëri thirrje të rinjve që me 23 qershor të zgjedhin PD-në si alternativë.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë fjalës së saj u ndal në akuzat ndaj opozitës. Topalli tha se kryetari i PS, Edi Rama, është kundër rinisë, mësuesve dhe arsimit.
“Nuk i tha jo për arsye morale, sidomos pas koalicionit të kartës së pazareve dhe as për arsye logjike. I tha jo, sepse personi i vetëm për të cilin shqetësohet është vetja dhe puna e tij. Rama tha jo thjesht ka votuar kundër çdo ligji dhe reforme dhe buxheti, por në përgjithësi sulmon, arsimin, të rinjtë pedagogët. Nuk ka nguruar të sulmojë gjithë sistemin arsimor, deri dje, të drejtën e arsimit mund të merrje jo vetëm se ishe më i zoti, por pasi partia e Edi Ramës vendoste nëse je i denjë për të vijuar shkollën e lartë. Ne nuk do i kthehemi këtyre ideve të dështuara që mbajtën peng rininë shqiptare ne ecim para”, u shpreh Topalli.
/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





