TIRANË, 11 mars 2013– Kryeministri i vendit Sali Berisha kërkoi sot uljen e moshës së votimit në 16-vjeç. Gjatë mbledhjes së grupit të PD-së Berisha i kërkoi kreut të grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi , nisjen e negociatave me grupet parlamentare për nismën e kërkuar prej tij.
“I kërkoj Patozit të negociojë me Rucin dhe krerët e grupeve parlamentare uljen e moshës së votimit 16-vjec. Janë me qindra të rinj që më pyesin në 'What's Up' dhe Facebook, po ne pse nuk votojmë. Moskonsiderimi i tyre dëshmon një prapambetje në gjykimit në kohë për ta. Kjo është një gjeneratë krejtësisht tjetër e pakrahasueshme”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë siguroi se mazhoranca po ec drejt 23 qershorit me detyrimin madhor për zgjedhjet të shkëlqyera.
“Ne po ecim drejt datës 23 qershor, detyrimit të madhor për një proces zgjedhor të shkëlqyer. Detyrimit tonë madhor për një program i cili po përpunohet në mënyrën më intensive cdo orë dhe cdo ditë. Për hir të së vërtetës po zbatohet sic janë paketat e reformave që vijojnë brenda kësaj jave në parlament dhe të tjera të mishëruara në vendime të qeverisë të cilat prekin në mënyrë pozitive direkt cdo qytetar shqiptar”, tha Berisha.
Sipas kryeministrit, listat e reja do të përpiloheshin në pak orë, nëse partitë politike bien dakort që një 16-vjeçari t’i jepet e drejta për votë. Nga listat e reja, -tha Berisha,-përfitohen mbi 100 mijë votues të rinj.
“Do i bësh ftesë zyrtare z Ruci, gjithçka e kemi automatike për listat e votimit, mjafton vullneti politik, i forcave politike dhe në një kohë prej disa orësh prodhohen listat që përfshijnë të gjithë 16-vjeçarët e vendit. Ne jemi komb që vetëm 12% e kemi moshën mbi 60 vjec dhe në aspektin e përfaqësimit të moshave është e domosdoshme të jemi të drejtë, të barabartë ndaj qytetarëve që të paktën 16 vjec e sipër t’u jepet e drejta e votës. Uroj që negociatat e tua z Patozi me përfaqësues të LSI e forcave të tjera të ecin në frymën e duhur, pa politizime dhe partiprira ndaj një akti që vetëm e fisnikëron procesin e votimit dhe e bën këtë vend të përfaqësohet me votë më mirë sec përfaqësohej më parë. Përfitojnë të drejtën e votimit mbi 100 mijë qytetarë të rinj, cka është shumë e mirëpritur” .
Kryeministri shtoi më tej argumentimin për këtë propozim duke sjellë një përqajse të moshave dhe brezave.
“Kjo është gjeneratë e internetit, i cili i bën ata të dinë më shumë, secili prej tyre sesa dinim 50-vjeçarët para gjeneratës së tyre, jo se ata nuk kishin përkushtim, por burimet e informacionit që ata kanë i burrëroi i maturoi këta me një sasi dijesh që ne e kemi të vështirë t’i vlerësojmë dhe t’i marrim me mend. Unë mendoj se ulja e moshës së votuesit është normale dhe di që vende të tjera e kanë ulur moshën e votimit, madje në mos gaboj, parti në vend e kanë ulur moshën e anëtarësisë dhe PD do e ulë moshën e anëtarësisë. Kjo është një gjeneratë që ne e kemi të vështirë t’a imagjinojmë në shkallën e imagjinatës së saj.
Po dhe po të marrim kohëra me të afërta, dallimet janë të paimagjinueshme. Imagjinoni mijëra prej tyre aplikojnë dhe ndjekin universitete në mbarë botën. Imagjinoni në periudhën time akademike, dhënia e gjuhëve të huaja përbënte një çështje madhore, kurse këta të rinj japin Toeflin me lehtësinë më të madhe, apo gjuhë të tjera. Po të kthehemi në traditë, edhe nusja jepej 16 vjeç por sot këta janë brez i internetit”, tha nder të tjera Berisha.