Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi pasditen e së premten një bashkëbisedim me të rinjtë e FRPD. Në foltoren e mbajtur në ambientet e selisë së PD, kryedemokrati iu bëri thirrje të rinjve të marrin në dorë fatet e vendit dhe të rikthejnë edhe njëherë ‘shpresën, besimin, lirinë për shqiptarët’.

‘Diktaturat autoritare, kohërat provuan se antidoti absolut i tyre është gjenerata juaj, gjenerata Z.

Janë këto gjenerata që e përmbysën në Bangladesh regjimin.

Është gjenerata Z që e përmbysi në Nepal regjimin.

E përmbysi në Sri Lanka.

Është kjo gjeneratë që po i dridh themelet autokratit të Beogradit, Aleksandër Vuçiç, sivëllaut të Edi Ramës.

Nuk ndalen. Aty ra një çati në stacionin e trenit të Novisadit, humbën jetë 13 qytetarë, por studentët e Beogradit për muaj të tërë nuk i ndahen, dhe do fitojnë.

Lufta kundër diktaturave nuk është një ndeshje futbolli, është një betejë e vështirë, e komplikuar.

Por do fitojnë.

Në këtë kuadër, në këtë kontekst, unë u bëj thirrje ju të ngriheni në lartësinë e këtij misioni.

Sot ju keni shansin e madh të riktheni edhe njëherë shpresën, besimin, lirinë, të drejtat, të ardhmen tuaj dhe të shqiptarëve’, tha Berisha.