TIRANE- Kryeministri Berisha është shprehur sot optimist që mazhoranca do të fitojë zgjedhjet e 23 Qershorit ndërsa ka akuzuar edhe kreun e PS-së Edi Rama se është treguar mosmirënjohës ndaj votës së qytetarëve të kryeqytetit.

Duke folur në aktivitetin e organizuar nga bashkia e Tiranës me rastin e 93-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, kryeministri Berisha theksoi se shqiptarët do të votojnë në 23 Qershor për të ardhmen e tyre europiane.

“Njeriu që qeverisi Tiranën për 11 vjet si shpërblim për votën e qytetarëve u mbyll derën e integrimit, e lë Tiranën në mënyrën më të paimagjinueshme jashtë listës, familjes të kryeqyteteve të vendeve anëtare të BE, e bën këtë jashtë cdo lloj sensi mirënjohjeje për këta qytetarë, jashtë cdo respekti për vokacionin perëndimor, që ne shqiptarët e kemi paguar me çmimin më të lartë dhe s’mund ta injorojmë këtë, për të cilin janë bërë sakrificat më të jashtëzakonshme. Jam i bindur që shqiptarët më 23 qershor do të votojnë për 93-vjetorin e Tiranës kryeqytet, do të  votojnë për të ardhmen e kombit në Evropë” është shprehur kryeministri” tha Berisha.

Kryeministri Berisha theksoi më tej se Tirana është shndërruar në kryeqytetin e kombit shqiptar

“Ngjarja e sotme është një nga ngjarjet më të rëndësishme  të kombit shqiptar pasi përveç se është themeluar kryeqyteti i shqiptarëve por Tirana është shndërruar në kryeqytetin e kombit shqiptar. Në historinë e tyre të vështirë shqiptarët ia kanë dalë të krijojnë qëndra të mëdha me rrezatim të fuqishëm në rajon dhe më gjerë. Në kohën e Skënderbeut përpjekjet për të pasur një kryeqytet u vështirësuan në shkallë ekstreme dhe fakti që ne sot festojmë 93-vjetorit dëshmon se edhe në ato vite ne mbetëm si një komb me një kryeqytet të vetëm” tha Berisha.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha ka vlerësuar arritjet që ka bërë Tirana që pas shpalljes së saj kryeqytet 93 vite më parë.

Duke folur në aktivitetin e organizuar me temë “Qeveria e parë në Tiranën kryeqytet”, kryebashkiaku Basha theksoi se sot Tirana është streha e kulturave dhe traditave.

“Para 93 vitesh në këtë godinë ndryshoi fati i qyteti tonë. E ardhmja ishte e paqartë, por banorët e Tiranës e mbrojtën qeverinë e Sulejman Delvinës. Ne sot jetojmë të lirë, por duhet të tregojmë respekt për familjet e mëdha të Tiranës, pasi i treguan skeptikëve që ky komb kishte te ardhme. Edhe atëherë kishte njerëz që ushtronin forcën e tyre për ta ndaluar Shqipërinë, por mbështetja që gjeti qeveria në vitin 1920 në familjet e Tiranës ishte garanci për të vijuar para. Tirana ishte zemra e kombit. Sot pas 93 vjetësh kryeqytet, Tirana është autoktone dhe strehë e kulturës. Është një qytet që bashkëjeton me ndryshimet. Ne jetojmë sot në kryeqendrën e sipërmarrjes dhe studentëve. Nuk është e rastësishme që Tirana është ëndrra e të rinjve” tha Basha.

Ai ka garantuar zhvillimin e projekteve të rëndësishme nga Bashkia për Tiranën, për të cilat ka falenderuar Bashën dhe stafin e tij.

Sipas kryebashkiakut Basha, për fat të keq ka pasur raste kur Tirana është shfrytëzuar për interesa ekonomike, kur është ndaluar festa dhe stolisja dhe ajo është trajtuar si komunë e largët.

“Sot Tirana ka simbolet e saj. Sot Tirana ka shqiponjën e madhe në hyrje të qytetit tonë dhe monumentet e heronjve të kombit. Tani ka ardhur koha që këtij qyteti ti shërbehet me sakrifica. Sa më shumë të punojmë dhe të sjellim standartet europiane aq më shumë ndriçojmë sakrificën e patriotëve tanë. Tani qyteti nuk fillon dhe mbaron në qendër” shtoi Basha.

Basha ka përsëritur angazhimin e plotë të tijin dhe stafit të bashkisë për të shërbyer me përkushtim ndaj nje qyteti që e meriton t’i shërbesh denjësisht.