TIRANË, 29 mars 2013- “Qëllimi i këtij takimi është të diskutojmë mbi mënyrat sesi mund të bëjmë gjithçka që të sjellim në qendër tregun e punës dhe reformimin e tij”, tha Kryeministri Sali Berisha sot në një tryezë me akademikët ku diskutoi për reformat dhe politikat për punësim garantoi se qeveria e tij do të bëjë gjithçka për tregun e punës dhe reformimin e tij. 

Kryeministri Sali Berisha theksoi sot se objektivi kryesor i qeverisë është gjetja e mënyrës së arritjes së punësimit sa më të madh me një nivel të caktuar të rritjes ekonomike. 

“Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të sjellë në epiqendër tregun e punës dhe reformimin e tij. Do bëjmë më aktiv rolin e agjentit të punësimit. qeveria është e vendosur të marrë çdo masë për t’u dhënë mbështetjen më të fuqishme agjencive të punësimit në mbarë vendin. Jemi të vendosur të bashkëpunojmë me agjencitë private në mbarë vendin për të mundësuar akoma më tepër dinamizimin, kualifikimin, rikualifikimin e krahut të punës”, tha Berisha në këtë takim. 

Kryeministri Berisha theksoi se një rëndësi të madhe do të ketë krijimi i vendeve të punës me koston më të ulët. 
“Zonat rurale, potencial në krijimin e vendeve të punës.Krijimi i vendeve të punës në zonat rurale ka kosto të ulët”. 

Por si theksoi Berisha, për përshtatshmërinë ndaj tregut, qeveria ka krijuar shkolla profesionale. 

Duke folur mbi takimin e djeshëm me investitorët e huaj, Kryeministri Berisha u shpreh se "investitorët e huaj shprehën ankesën se nuk gjejnë punëtorë të kualifikuar. Jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të sjellë në epiqendër të tregun e punës”. 

Më tej Berisha pranoi se "Nuk mund të themi se ishte në qendër të reformave tona. Kemi një Ministri që ka proceduar me një seri reformash. Në përpjekjen tonë për zhvillimin e arsimit profesional kemi krijuar një seri shkollash profesionale dhe qëndrash trajnimi profesional shumë të mira. Kemi një sistem të inauguruar pak kohë më parë shumë të mirë të punësimit on-line, "e –punësimi", që bën disponibël çdo vend pune dhe krah pune të lirë, një potencial shumë të mirë menaxhues. Ne kemi një kod pune, i cili lejon kontratën e përkohshme, kemi një sistem të mbështetjes ekonomike shumë të lartë gjatë këtyre viteve", u shpreh Berisha. 

Ndihma Ekonomike

Kurse referuar pyetjes mbi ndihmën ekonomike nga një akademik, Kryeministri Berisha theksoi se parimi themelor i reformës së punësimit është se çdo punë është më e mirë sesa ndihma e shtetit. 
“Nëse marrim fondin për ndihmën e cilësojmë atë të konsiderueshëm ndërsa shkalla e informalitetit është shumë e lartë” tha Berisha. 

Por, vijoi ai, preokupimi ynë më madhor është si të ndihmojmë më me efiçencë njerëzit e papunë, si të sjellim në epiqedër të veprimtarisë sonë këto çështje, si të përdorim ndihmën për papunësinë dhe ndihmën ekonomike, si ta bëjmë shumë më aktiv rolin e Agjencisë së punësimit, si të dinamizojmë kualifikimin dhe trajnimin. 

Kriza ekonomike globale

Në këtë tryezë, Berisha iu referua dhe krizës ekonomike globale. 
"Kriza ekonomike globale faktoi në mënyrë të qartë ndikimin më negativ në papunësi në ato vende ku tregu i punës nuk ishte në epiqendër të reformave. Kriza faktoi se vendet, të cilat kishin reformuar tregun e punës, që kishin proceduar me një seri ndërhyrjesh në tregun e punës, patën pasojat më të vogla, më të pakta sociale nga kriza ekonomike. Ato vende patën papunësi disa 

Sipas Kryeministrit, "është e njohur se e njëjta përqindje në rritje ekonomike, nuk jep të njëjtën përqindje punësimi. Por në rastin konkret, të tregut të punës, kjo bëhet dhe më evidente". 

"Shqipëria para vitit 2008 pati një rritje të lartë ekonomike. Edhe në kulmin e krizës sërish pati rritje ekonomike dhe nuk ra në recesion. Reformat ndikuan në rritjen ekonomike dhe nxitjen e tërheqjes së investimeve të huaja. Në 4 vitet e fundit investimet private të huaja dhe të vendit si edhe investimet publike janë rreth 12 miliardë dollarë dhe janë të konvertuara në rreth 200 mijë vende pune. 4 vitet që vijnë synojmë reforma të tjera, ku më kryesore është heqja e taksës mbi kapitalin, ruajtja pa diskutim e taksës së sheshtë dhe një seri stimujsh të tjerë fiskalë”, theksoi Kryeministri Berisha.