Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një vizite në një biznes në Lajthizë, ka shprehur vlerësimin për punën dhe suksesin e arritur në kushte të vështira, ndërsa ka premtuar mbështetje konkrete për bizneset që preken nga kursi i këmbimit të euros.

“Uji është jeta,” u shpreh Berisha, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për sektorin e prodhimit dhe eksportit në vend.

Ai deklaroi se PD ka një projekt për ngritjen e një bordi kompensimi për të gjithë eksportuesit, i cili do të synojë zbutjen e ndikimit negativ nga luhatjet e euros në treg.

“Do ngremë bordin e kompensimit të të gjithë eksportuesve, kompensimit për shkak të variacionit të kursit të euros. Ne do të kompensojmë çdo cent të euros që bie. Eksporti është i një rëndësie jetike.”

Berisha ngriti shqetësimin për rënien e konsumit dhe fuqisë blerëse, duke e lidhur atë edhe me emigracionin masiv dhe rënien e lindshmërisë, që sipas tij, është konfirmuar edhe nga raportet e fundit të OKB-së.

“Nga 2023 në 2024, eksportet ranë me 32%. I shkatërroi euroja. Rënia e popullsisë dhe e konsumit është alarmante.”

Në fjalën e tij, Berisha vlerësoi përpjekjet e sipërmarrësve që kanë ndërtuar marka shqiptare të njohura në rajon, pavarësisht mungesës së mbështetjes nga shteti. Ai premtoi se një qeveri e dalë nga opozita do të ndërhyjë për të rritur konsumin, prodhimin dhe për të mbështetur eksportin.