TIRANE, 14 mars 2013 – Kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur t’i urojë shqiptarët për Ditën e Verës përmes rrjetit social Facebook. Në një postim të bërë mëngjesin e sotëm Berisha uron atë që ai e quan festën më të lashtë të kombit tonë dhe njëkohësisht tregon një histori personale të tijën gjatë festimeve të Ditës së Verës në Tropojë dhe Paris të Francës.

“Gëzuar Ditën e Verës, festën tonë më të lashtë!
Të dashur miq, sot ne festojmë Ditën e Verës, festën tonë më të lashtë. Para nisjes për në Bruksel, ju uroj së pari qytetarëve të Elbasanit, kryeqytetit të festës dhe mbarë qytetarëve shqiptarë, Gezuar Ditën e Verës, festën e luleve, lulëzimit, shpresës, gëzimit, haresë që sjell pranvera. Uroj shëndet, lumturi mbarësi dhe suksese për të gjithë! sb

Një rrëfenjëz: Dita ime e Verës në Paris!
Në fëmijëri ne e festonim shumë Ditën e Verës. Për një javë rresht me moshatarët e mi mblidhnim dëllinja dhe shkurre, ngrinim nje mullar sa më të lartë me to dhe me datë 6 prill (Dita e Verës në Tropojë) në darkë ndiznim zjarrin gjigand, vraponim nëpër tymin e tij dhe me vonë, kur na e mbante, edhe mbi prushin e tij. Gjella tradicionale e shijshme e asaj nate gatuhej me këmbët e pastërmasë që thaheshin gjatë dimrit dhe ruheshin vetëm për atë darkë. Një ditë, 34 vjet më parë në Paris, tek prisja autobuzin, befas profesori me të cilin punoja ndali makinën dhe më ftoi të shkonim direkt për drekë në shtëpi. E shoqja, ndonëse e panjoftuar, na priti me shumë njerëzi. Shtroi drekën dhe rastisi që kishte gatuar këmbë pastërmaje, kuptova se i serviri pak e sikletosur, por kur unë i tregova se këmbët e pastërmasë ishin gjella më e nderuar në festën tonë më të lashtë ajo nuk e përmbajti gëzimin. Kjo ishte dita ime e Verës në korrikun e vitit 1979 në Paris. Gëzuar! Sb”,- shkruan Berisha në profilin e tij. 

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/