TIRANË, 14 mars 2013– Kryeministri Sali Berisha uroi të enjten, përmes një mesazhi, Atin e Shenjtë, Papa Franciscus I, me rastin e zgjedhjes në krye të Selisë së Shenjtë, ndërsa i shprehu atij dëshirën për të vizituar Shqipërinë.
"Më lejoni t'ju përcjell në emrin tim, të qeverisë shqiptare, të katolikëve shqiptarë e të gjithë qytetarëve të vendit tim, përshendetjet më të përzemërta, si edhe urimet më të ngrohta për sukses të plotë në misionin e lartë e të shenjtë të përçimit të fjalës e mësimeve të Zotit në zemrat e besimtarëve katolikë e bekimin e Tij për mbarë njerëzimin", thuhet në mesazhin e kryeministrit Berisha.
"Shqiptarët vlerësojnë lart vizionin, përkushtimin e kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në shërbim të drejtësisë sociale dhe në ndihmë të të vobektëve e të vuajturve si një ndër shprehjet më domethënëse të dashurisë e humanizmit të krishterë, një ndër virtytet më të lartë të Kishës së Jezusit", vijon mesazhi.
"Ndaj së bashku me qytetarët e vendit tim, ndaj bindjen e thellë së nën udhëheqjen tuaj, me përkushtimin e urtësine hyjnore që ju karakterizon, Selia e Shenjtë do të vijojë të japë kontributin e saj të paçmuar e thelbësor në forcimin e besimit ndaj Zotit, në përhapjen e fjalës së Tij të Shenjtë për dashuri e ndihmë reciproke mes njerëzve, si edhe në promovimin e mëtejshëm të paqes, bashkëpunimit e miqësisë në botë", thuhet në mesazhin e kryeministrit.
"Shqipëria dhe shqiptarët ruajnë lidhje tradicionale të ngushta e të shkëlqyera me Selinë e Shenjtë e me Atin e Shenjtë, ndaj edhe dëshiroj me këtë rast t’ju ripohoj dëshirën time të madhe dhë të gjithë shqiptarëve t’ju mikpresim në Shqipëri si Ati më i lartë shpirtëror i bashkatdhetarëve tanë të besimit katolik e më gjerë, por edhe si një mik i madh e i shquar i kombit shqiptar", përfundon mesazhi i kryeministrit Berisha.
"Facebook", Berisha përshëndet zgjedhjen e Papës: Vatikani, aleati ynë më i vjetër
Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur zgjedhjen e Papës së ri, Atit të Shenjtë, Francesku i Parë. Duke përdorur rrjetin social “Facebook” , Berisha shkruan në faqen e tij se "kjo është një ngjarje e madhe historike për Kishën Katolike, besimtarët katolikë shqiptarë dhe të mbarë botës, por edhe për të gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë, që kanë patur dhe kanë tek Vatikani aleatin e tyre të shkëlqyer më të vjetër".
Më pas, në emër të të gjithë shqiptarëve, Berisha i ka përcjellë urimet më të përzemërta Papës Françesku i Parë në misionin e tij më të lartë hyjnor në udhëheqje të Kishës Katolike dhe të katolikëve të mbarë botës.